Rusia nisi një sulm me dronë ndaj Ukrainës gjatë natës, duke përdorur qindra dronë. Mediat vendase raportojnë se shpërthime u dëgjuan në disa qytete ukrainase, përfshirë Kievin, Kharkivin, Dnipro dhe rajonin e Zaporizhias. Dy persona, përfshirë një fëmijë, u vranë ndërsa disa të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Në shënjestër të sulmeve ishte edhe një ndërtesë administrative në lagjen Pechersk, ku ndodhen ndërtesa qeveritare, përfshirë Këshillin e Ministrave.
Në Odessa, dronët goditën infrastrukturën civile dhe ndërtesat e banimit, deklaroi guvernatori rajonal Oleh Kiper, duke shkaktuar disa zjarre. Në Kryvyi Rih, raketat dhe dronët goditën tre vende në qytet, duke dëmtuar infrastrukturën e transportit dhe urbane, tha Oleksandr Vilkul, kryetar i Këshillit të Mbrojtjes së qytetit.
Në Zaporizhia, u godit një ndërtesë punishteje në zonën industriale të qytetit, tha guvernatori rajonal Ivan Federov, duke shtuar se sulmi nuk shkaktoi viktima. Në orët e mëngjesit, alarmed për sulme ajrore u aktivizuan sërish në të gjitha rajonet ukrainase pas një sulmi të ri me raketa.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov është shprehur se zgjidhja e situatës në Ukrainë kërkon një dialog të vështirë me palët e ndryshme. Në një intervistë për TASS gjatë Forumit Ekonomik Lindor në Vladivostok, Peskov theksoi gjithashtu se të gjitha kontaktet ndërkombëtare të presidentit Vladimir Putin mbështesin dialogun e tij me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe përpjekjet për paqe në Ukrainë.
“Mbështetja është absolutisht e plotë, por, padyshim, dialogu i ardhshëm është ende mjaft i vështirë.”, tha ai.
