SPAK mbyll hetimet për Ilir Metën – Ish-Presidenti thirret më 4 gusht për t’u njohur me akuzat

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka mbyllur zyrtarisht hetimet ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në kuadër të një dosjeje që përfshin edhe persona të tjerë të afërt me të.

Meta është thirrur të paraqitet në ambientet e SPAK ditën e hënë, më 4 gusht, ora 11:00, për t’u njohur zyrtarisht me aktet e mbylljes së hetimeve dhe akuzat që rëndojnë ndaj tij.

Ai ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024, dhe do të shoqërohet nga autoritetet nga ambientet e paraburgimit në Prokurori, ku do të asistojë edhe nga avokati i tij mbrojtës, Kujtim Caktani.

E njëjta procedurë është ndjekur më herët edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi, si dhe për dy bashkëpunëtorët e dyshuar, Ema Çoku dhe Piro Xhixho.

SPAK ka komunikuar akuzën e “korrupsionit pasiv” ndaj Piro Xhixhos dhe atë të “pastrimit të parave” për Ema Çokun. Pritet që edhe ndaj Ilir Metës të formalizohen akuza të natyrës penale në vijim të procedurave ligjore.