Sherr i pazakontë në Durrës. I moshuari qëllon shokun me thikë pas sherrit për lojën e dominosë

Një përplasje e pazakontë mes dy të moshuarve ka ndodhur këtë të hënë në sheshin “Pranvera” në qendër të qytetit të Durrësit, ku një debat gjatë një loje domino ka përfunduar në një plagosje me thikë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:00, kur sipas burimeve nga policia, konflikti mes dy burrave të moshuar ka degraduar në dhunë fizike dhe njëri prej tyre ka qëlluar tjetrin me mjet prerës.

Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë patrullat e Policisë së Durrësit dhe një ambulancë, e cila ka transportuar të plagosurin drejt spitalit rajonal. Gjendja e tij raportohet të jetë nën kontroll.

Autori i dyshuar është shoqëruar në komisariat, ku po merret në pyetje lidhur me motivin e konfliktit dhe rrethanat e ngjarjes. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Durrës

Plagosi me mjet prerës (thikë), një 70-vjeçar, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kapet menjëherë nga shërbimet e Policisë dhe shoqërohet në komisariat, autori i dyshuar.

Në lagjen nr. 11, Durrës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi A. Zh., 68 vjeç, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës (thikë), shtetasin F. T., 70 vjeç, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.

Shërbimet e Policisë, pas marrjes së njoftimit, brenda pak minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e shtetasit A. Zh. në Komisariat, për veprime të mëtejshme.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.