Dyshohet për vrasje makabre të Kozeta Teços – Policia arreston Ilirjan Selmanin

Pogradec, 28 Korrik 2025 – Dyshohet për vrasje makabre të Kozeta Teços në Pogradec – Policia arreston Ilirjan Selmanin.

Trupi i pajetë i Kozeta Teços, 52 vjeçe, është gjetur i djegur në banesën e saj, me shenja të dukshme dhune dhe plagë të shkaktuara nga një mjet prerës. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se ngjarja makabre është kryer nga Ilirjan Selmani, një i ri nga Pogradeci, me të cilin viktima dyshohet të ketë pasur një lidhje intime.

Policia bën me dije se në trupin e viktimës janë konstatuar shenja mbytjeje dhe dëmtime të shumta, duke ngritur dyshime të forta për vrasje me dashje. Autori i dyshuar ka tentuar të zhdukë gjurmët e krimit duke pastruar vendin e ngjarjes dhe duke ndezur disa vatra zjarri në ambientet e banesës.

Gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në koshin e mbeturinave pranë pallatit ku jetonte viktima, janë gjetur peshqirë dhe kartpeceta të njollosura me gjak. Sipas policisë, ato dyshohet të jenë përdorur nga autori për të pastruar gjurmët dhe për të humbur provat materiale të krimit.

Pamjet e kamerave të sigurisë të bizneseve përballë vendit të ngjarjes kanë luajtur një rol kyç në identifikimin e autorit të dyshuar, i cili tashmë është shoqëruar në komisariat për hetime të mëtejshme. Për të dokumentuar ngjarjen dhe për të konfirmuar versionin e ngjarjes, policia ka kryer një eksperiment hetimor në vendin e krimit me pjesëmarrjen e të dyshuarit.

Megjithatë, pas përfundimit të eksperimentit hetimor, Ilirjan Selmani ka mohuar përfshirjen e tij në vrasje.

Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për përcaktimin e motivit që dyshohet se çoi në këtë akt ekstrem.