Zhduket në det në Sarandë turisti portugez

Një shtetas portugez është shpallur i zhdukur pasditen e së dielës në zonën e lagunës pranë “Bukës së Vivarit”, në Sarandë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 të datës 27 korrik 2025, kur A. G., 57 vjeç, po pushonte me disa miq dhe është futur në det për të notuar, por nuk është parë më që nga ai moment.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, Policia Kufitare e Sarandës, në bashkëpunim me patrullat nga toka, kanë nisur kërkimet në ujë dhe përgjatë bregut, me shpresën për të lokalizuar turistin e zhdukur.

Sipas Policisë së Shtetit, është ngritur një grup i posaçëm hetimor pranë Komisariatit të Sarandës, i cili po punon për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa hetimet po zhvillohen paralelisht me operacionin në terren.

Deri në këto momente nuk ka asnjë gjurmë apo informacion të ri mbi vendndodhjen e 57-vjeçarit portugez. Autoritetet kanë angazhuar burime shtesë në kërkimet që po vijojnë në zonën e lagunës dhe përreth saj.