Përmes një deklarate zyrtare për mediat, Dr. Arben Ramkaj, Kryetar i Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Shqipëri, ka vlerësuar lart aktin e guximshëm të kryekomisarit të policisë Agim Troci, i cili mbeti rëndë i plagosur pasi ndërhyri mes flakëve për të shpëtuar jetë njerëzish në Delvinë.
“Në një kohë kur vlerat shpesh relativizohen, shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për modele të vërteta, për figura që frymëzojnë dhe që japin shembullin e shërbimit pa interes dhe të sakrificës pa zhurmë. Agim Troci nuk është vetëm një punonjës i ndershëm i Policisë së Shtetit. Ai është një hero i heshtur që vendosi jetën e tij në rrezik për të shpëtuar jetën e të tjerëve. Kjo është më shumë se detyrë – është mision,” u shpreh Dr. Ramkaj.
Duke vënë në pah rëndësinë e figurave që mishërojnë virtytet më të larta të shoqërisë, Dr. Ramkaj shtoi se aktet e vërteta të trimërisë ndodhin shpesh larg vëmendjes publike, në heshtje, aty ku jeta dhe dinjiteti njerëzor mbrohen përballë rrezikut ekstrem.
“Si Qendër që angazhohemi për paqe, solidaritet dhe bashkëjetesë në shoqërinë shqiptare, ndjejmë detyrimin qytetar dhe moral për të shprehur mirënjohjen më të thellë ndaj Agim Troçit dhe ndaj gjithë atyre që shërbejnë me nder në heshtje. Shqipëria ka nevojë për më shumë figura të tilla – të heshtura, por të forta në vepra; të thjeshta, por të mëdha në shpirt.”
Qendra e Bashkëpunimit Ndërfetar shpreh gjithashtu mbështetjen dhe lutjet e saj për një shërim të shpejtë të kryekomisarit Troci, dhe bën apel për një vlerësim të duhur institucional dhe shoqëror për akte të tilla, të cilat nuk janë thjesht histori personale, por përfaqësojnë themele të fuqishme morale për ndërtimin e një shoqërie me integritet.
“Të mos harrojmë asnjëherë se, ndërsa shumë zgjodhin të heshtin përballë rrezikut, ka ende njerëz që zgjedhin të hyjnë mes flakëve për të shpëtuar jetë. Ata janë frymëzimi ynë,” përfundoi deklaratën e tij Dr. Ramkaj.
