Moment i tmerrshëm i dëmtimit të rëndë të futbollistit të Bayern, Musiala. Largohet me barelë, shokët duart në kokë

Një episod dramatik ndodhi në fundin e pjesës së parë të çerekfinales së Kupës së Botës për Klube, mes Bayern Munich dhe Paris Saint-Germain. Mesfushori gjerman Jamal Musiala pësoi një dëmtim të rëndë në këmbën e majtë, pas një përplasjeje me portierin italian të PSG-së, Gianluigi Donnarumma, sipas medias italiane.

Donnarumma u përplas me Musialan, duke i zënë kyçin e këmbës së tij poshtë trupit. Pamjet ishin tronditëse: portieri italian vuri menjëherë duart në fytyrë, i ndërgjegjshëm për seriozitetin e dëmtimit, ndërsa Musiala mbeti i shtrirë në dhimbje.

Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë dhe futbollisti u largua jashtë fushës me barelë. Në rifillimin e lojës, publiku nisi të fishkëllente Donnarummën sa herë që ai prekte topin, ndonëse përplasja nuk ishte e qëllimshme.

Klubi pritet të publikojë së shpejti një njoftim zyrtar mbi gjendjen e Musialas dhe kohën e mundshme të mungesës së tij.