Në burg për përndjekjen e mbi 60 vajzave, shqiptari i rikthehet ‘profesionit’

Francë/Tiranë, 29 qershor 2025 – Fabjan Dodaj, 35-vjeçari shqiptar që po vuan dënimin në burgun “Lyon Cobras” në Francë, është sërish nën hetim për përndjekje dhe shantazh ndaj vajzave shqiptare në rrjetet sociale, pavarësisht ndodhisë së tij pas hekurave.

Burime zyrtare bëjnë me dije se ndaj Dodajt është regjistruar një procedim i ri penal në Prokurorinë e Tiranës, pas kallëzimit të një 32-vjeçareje e cila ka deklaruar se është përndjekur prej kohësh nga ai, përmes mesazheve kërcënuese dhe denigruese në Instagram.

Ky nuk është rasti i parë që Dodaj përballet me akuza të tilla. Në gusht të vitit të kaluar, ai u bë objekt hetimi pas zbulimit të mbi 60 rasteve të shantazhit dhe publikimit të materialeve denigruese të vajzave shqiptare, përmes profileve të rreme në Instagram dhe TikTok, të hapura nga vetë ai nga qelia. Edhe pse iu sekuestrua telefoni, ai ka arritur të sigurojë përsëri mjete komunikimi brenda ambienteve të burgut.

Ndaj tij është bërë edhe një tjetër denoncim muaj më parë pranë policisë së Lezhës, por duket se përpjekjet për ta ndaluar kanë qenë të pamjaftueshme. Aktualisht Dodaj po vuan një dënim në Francë për veprat penale “Vjedhje me pasoja të rënda” dhe “Komplot kriminal”.

Hetimet vazhdojnë në bashkëpunim me autoritetet franceze për të ndaluar aksesin e tij në internet dhe për të vërtetuar përgjegjësinë në rastet e reja të denoncuara.