Ndërron jetë mitropolit Dhimitri

Gjirokastër, 28 qershor 2025 – Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë dhe besimtarët e saj humbën sot një prej figurave më të përkushtuara të shërbesës shpirtërore, Mitropolitin e Gjirokastrës, imzot Dhimitri. Hirësia e Tij u nda nga jeta në orën 20:30, pas një beteje të gjatë me probleme shëndetësore që përfshinin një infeksion respirator dhe endokardit.

I lindur në Serres të Greqisë në shtator 1940, imzot Dhimitri iu përkushtua që herët jetës fetare dhe akademike. Ai u diplomua në Teologji në Universitetin “Aristoteli” të Selanikut dhe më vonë shërbeu në Manastirin e Shën Ekaterinës në Malin Sinai, ku u dallua për punën në paleografi dhe ruajtjen e dorëshkrimeve të lashta.

Pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri, iu bashkua përpjekjeve për rindërtimin e Kishës Orthodhokse në vend, në krah të Kryepiskopit Anastas. Nga viti 1994 shërbeu si Protosingjel i Mitropolisë së Gjirokastrës, dhe në vitin 2006 u zgjodh Mitropolit i kësaj eparkie, ku për 19 vite kontribuoi me devotshmëri në rigjallërimin shpirtëror të Jugut të Shqipërisë.

Përveç veprimtarisë pastorale, imzot Dhimitri ka qenë një mbështetës i arsimit dhe formimit të brezave të rinj, veçanërisht përmes rolit të tij në Fondacionin Arsimor “Fryma e Dashurisë”.

Shërbesa përkujtimore (trisaia) u mbajt në kishëzën e Kryepiskopatës në Tiranë, ndërsa ceremonia e varrimit do të zhvillohet më 1 korrik, ora 11:00, në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Gjirokastër.

Paqe shpirtit të tij – kujtimi i tij qoftë i përjetshëm!