Pushimet kthehen në tragjedi: Humb jetën 23-vjeçari nga Kosova në Lezhë

Një 23-vjeçar nga Kosova ka humbur jetën tragjikisht këtë të shtunë në Lezhë, teksa po pushonte me familjen e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit, kur Policia e Shtetit është njoftuar nga Urgjenca e Spitalit Rajonal të Lezhës se një i ri kishte mbërritur pa shenja jete.

Viktima është identifikuar si G.S., 23 vjeç, banues në Ferizaj, Kosovë. Sipas informacioneve paraprake dhe deklarimeve të familjarëve, i riu kishte pasur probleme shëndetësore që në fëmijëri.

Dyshimet e para të hetuesve flasin për një vdekje të ardhur nga shkaqe natyrale, ndërkohë që trupi i të ndjerit është dërguar për ekspertizë mjeko-ligjore me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.

Autoritetet lokale kanë nisur procedurat për hetimin e mëtejshëm të rastit.