Tërmet i fortë në Fushë-Krujë, ndihen lëkundje në disa qytete të vendit

Fushë-Krujë, 27 Qershor 2025 – Shqipëria është goditur sërish nga lëkundje tërmeti paraditen e sotme. Sipas të dhënave paraprake, një tërmet me magnitudë 4.1 goditi zonën e Fushë-Krujës, me një thellësi prej vetëm 5 kilometrash, çka ka bërë që lëkundjet të ndihen ndjeshëm edhe në qytete të tjera të vendit, përfshirë Tiranën.

Pas tërmetit të parë, janë regjistruar paslëkundje të forta, njëra prej të cilave me magnitudë 4.0, me të njëjtën epiqendër.

Deri në këto momente nuk raportohet për dëme materiale apo persona të lënduar, por autoritetet po monitorojnë situatën dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të qëndrojnë të qetë dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare.

Institucionet përgjegjëse, përfshirë IGJEUM dhe Emergjencat Civile, pritet të japin informacion të përditësuar gjatë orëve në vijim.