SHBA- Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se armëpushimi midis Iranit dhe Izraelit është tashmë në fuqi dhe bëri thirrje që ai të mos shkelet.
Konkretisht, përmes një postimi në Truth Social, Trump shprehet: “Armëpushimi tani është në fuqi. Ju lutem mos e shkelni atë! Donald Trump, President i Shteteve të Bashkuara! Izraeli dhe Irani erdhën tek unë pothuajse njëkohësisht dhe më kërkuan paqe”.
Më parë, presidenti amerikan kishte thënë në një postim se “Izraeli dhe Irani erdhën tek unë, pothuajse njëkohësisht, dhe thanë: ‘PAQE!’ E dija që koha ishte TANI.”
Trump shtoi gjithashtu nëpërmjet një postimi në Truth Social se bota dhe Lindja e Mesme janë fituesit e vërtetë dhe të dy kombet do të shohin dashuri, paqe dhe progres të jashtëzakonshëm në të ardhmen e tyre.
“Ata kanë kaq shumë për të fituar, por edhe kaq shumë për të humbur, nëse devijojnë nga rruga e DREJTËSISË DHE E VËRTETËS. E ardhmja për Izraelin dhe Iranin është e pakufizuar dhe e mbushur me PREMTIME të mëdha. ZOTI JU BEKOFTE TË DY!” tha Trump.
