Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar (MI6) do të ketë për herë të parë në historinë e tij 116-vjeçare një grua në krye. Blaise Metreweli do të marrë drejtimin e agjencisë gjatë këtij viti, duke pasuar Sir Richard Moore si shefe e 18-të e MI6.
Metreweli, e cila iu bashkua MI6 në vitin 1999, aktualisht drejton sektorin e teknologjisë dhe inovacionit të shërbimit. Ajo u shpreh se është “krenare dhe e nderuar” që i është besuar ky rol.
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer e cilësoi emërimin si një “moment historik”, në një kohë kur, sipas tij, “puna e shërbimeve të inteligjencës nuk ka qenë kurrë më jetike se sot”.
MI6 ka për detyrë të mbledhë informacione jashtë vendit për të garantuar sigurinë e Mbretërisë së Bashkuar, me qëllim kryesor luftën kundër terrorizmit, ndërprerjen e veprimtarive të shteteve armiqësore dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
Shefi i MI6, njihe ndryshe edhe si “C” dhe është i vetmi anëtar i agjencisë që identifikohet publikisht.
Metreweli, 47 vjeçe, është aktualisht Drejtoresha e Përgjithshme “Q”, duke udhëhequr departamentin që fokusohet në ruajtjen e fshehtësisë së agjentëve dhe zhvillimin e teknologjive për t’u përballur me kërcënime si survejimi biometrik nga Kina.
“MI6 luan një rol jetik, së bashku me MI5 dhe GCHQ, në mbrojtjen e popullit britanik dhe në promovimin e interesave të Mbretërisë së Bashkuar jashtë vendit”, u shpreh ajo.
Metreweli ka studiuar antropologji në Universitetin e Cambridge dhe ka mbajtur më herët pozicione drejtuese edhe në MI5, agjencinë britanike të sigurisë së brendshme. Shumica e karrierës së saj është përqendruar në Lindjen e Mesme dhe Europë.
Në një intervistë për “The Telegraph” në dhjetor të vitit 2021, kur ishte pjesë e MI5 dhe vepronte nën pseudonimin “Drejtorja K”, ajo theksonte se kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar janë “vërtet të shumëllojshme”.
“Po mbrojmë qeverinë, sekretet, njerëzit tanë, përfshirë masa kundër atentateve, si dhe ekonominë dhe teknologjitë e ndjeshme”, shpjegonte ajo.
Sipas saj, aktivitetet e shtetit rus përbëjnë ende kërcënim, ndërsa Kina, me ndikimin e saj global në rritje, paraqet njëkohësisht mundësi dhe rreziqe për Mbretërinë e Bashkuar.
Çfarë pune bën “C”?
“C” është kreu i MI6, zyrtarisht i njohur si Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme, dhe i raporton Sekretarit të Jashtëm.
“C” është gjithashtu pjesë e Komitetit të Përbashkët të Inteligjencës, së bashku me drejtuesit e agjencive të tjera dhe zyrtarë të lartë të qeverisë. Ky komitet merr raporte inteligjence, analizon situatat në zhvillim dhe këshillon kryeministrin britanik.
Është një keqkuptim i zakonshëm të mendohet se “C” qëndron për “Chief” (Shef). Nuk është kështu. Agjencia e parë britanike e spiunazhit quhej Byroja e Shërbimit Sekret dhe u krijua në fillim të viteve 1900.
Ajo u drejtua nga një oficer i Marinës Mbretërore, Kapiten Mansfield Cumming, i cili nënshkruante gjithmonë letrat e tij me inicialin “C” dhe që atëherë, ky emër ka mbetur si pseudonim për drejtuesin e MI6.
Kapiteni Cumming shkruante gjithmonë me bojë të gjelbër. Deri më sot, drejtuesi i MI6 është i vetmi person në Whitehall (qendra e administratës britanike) që shkruan me bojë të gjelbër.
A i jep “C” agjentëve të tij një “licencë për të vrarë”?
Jo. Por Sekretari i Jashtëm mundet. Sipas Nenit 7 të Ligjit për Shërbimet e Inteligjencës të vitit 1994, një agjent i MI6 mund të autorizohet të kryejë veprime që përndryshe do të ishin të paligjshme, përfshirë edhe përdorimin e forcës vdekjeprurëse. Megjithatë, kjo është një procedurë e gjatë dhe e ndërlikuar ligjore.
Organizata që do të drejtojë Metreweli përballet me sfida të shumta dhe të paprecedenta.
Gjeografikisht, këto sfida vijnë kryesisht nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, katër shtete që po bashkëpunojnë gjithnjë e më ngushtë për të minuar interesat e Mbretërisë së Bashkuar dhe Perëndimit në të gjithë botën.
Por ka edhe sfida teknologjike.
Roli i MI6 është të rekrutojë agjentë njerëzorë për të vjedhur sekrete nga kundërshtarët e Britanisë, përfshirë si shtete armiqësore ashtu edhe grupe jo-shtetërore si al-Qaeda.
Në një epokë të inovacionit të shpejtë dixhital, MI6 duhet të ecë me hap më të shpejtë për të qëndruar përpara armiqve të saj dhe për të mbetur e rëndësishme, në një kohë kur shumë nga informacionet e inteligjencës mblidhen përmes internetit ose satelitëve.
Në shtatorin e kaluar, shefi në largim Sir Richard Moore, së bashku me drejtuesin e CIA-s William Burns, paralajmëruan se bota ndërkombëtare ishte “nën kërcënim në një mënyrë që nuk ishte parë që nga Lufta e Ftohtë”.
Në një shkrim për Financial Times, ata theksonin se përtej luftës në Ukrainë, dy shërbimet e inteligjencës po bashkëpunonin ngushtë “për të penguar fushatën e rrezikshme të sabotimeve në Europë që po zhvillohet nga inteligjenca ruse”.
