Tentuan të vrisnin një 58-vjeçar me sopatë në Fier – në pranga babai, djali në kërkim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e së shtunës në fshatin Shtyllas të Fierit, ku një konflikt për motive të dobëta ka përfunduar me tentativë vrasjeje. Dy persona, babë e bir, kanë goditur me mjet prerës një 58-vjeçar, duke e lënë të plagosur rëndë.

Sipas informacioneve zyrtare, shtetasi Pashuk Paluca, 63 vjeç, dhe djali i tij, Ndue Paluca, 40 vjeç, dyshohet se kanë goditur me sopatë shtetasin Llesh Marku, 58 vjeç. Ky i fundit ndodhet aktualisht në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Policia e Fierit reagoi menjëherë pas ngjarjes duke bërë të mundur arrestimin në flagrancë të Pashuk Palucës, ndërsa djali i tij është shpallur në kërkim. Kundër tyre rëndon akuza “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.”

Gjatë veprimeve hetimore, autoritetet sekuestruan si provë materiale sopatën me të cilën u godit viktima.

Materialet hetimore i janë kaluar tashmë Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme ligjore, ndërkohë që policia po vijon punën për kapjen e autorit të dytë.