I tregoi shqetësimet/ Rama debat me qytetarin: Ti për këtë ke ardhur këtu, por është turp i madh

TIRANË- Një situatë e sikletshme i ka dalë jashtë skenarit kryeministrit Edi Rama gjatë takimit me banorët në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve. Teksa një qytetar i ka treguar disa nga shqetësimet e tij, pasi banonte në këtë lagje, Rama ka nisur një debat, duke e quajtur qytetarin si një të dërguar nga Opozita për t’i prishur takimin.

Qytetari në fjalë, ka përmendur shqetësimet e tij, që janë nga rrugët e prishura nëpër lagje dhe deri te pastrimi i ujërave të zeza dhe te legalizimi i pronave. Por Rama e ka akuzuar atë, si të dërguar të Opozitës, ndërkohë që i ka theksuar se ai është fajtor që ka dhënë ryshfet për të legalizuar banesën e tij, në këtë zonë. Në fund të fjalës së tij, Rama e ka quajtur qytetarin demokrat që ka dashur të bëhet personazh nëpër media.

Pjesë nga Debati:

Qytetari: Përshëndetje. Quhet Izmur Noka, jam banues i njësisë numër 1. Nuk jemi në rregull. Kosto çdo gjë. Makina cop cop. Ndoshta jam jashtë teme, por dua t’i them ty. Uji po të vish këto në orën 7 shkon lum në rrugë. Une nuk kam ardh këtu të them për legalizimet, sepse i kam bërë vetë, më kupton besoj si e kam bërë. Unë kam ardhur këtu të them për rrugën, sepse po bëjmë makinat copa. Dhe diçka të fundit: një gjë të vogël që do të bësh, bie fjala një kosh pulash, të vijnë këto institucione dhe të kërkojnë para, por jo zbatimin e ligjit.

Rama: Kam një problem të madh une me ty. Nëse të vjen dikush të thotë atë që the ti, duhet ta denoncosh. Sepse ndryshe nuk mund funksionoj kështu kjo punë. Zotria jote ka ndërtuar pa leje këtu. Nuk je ti vetëm që ke ndërtuar pa leje. Nuk e përjashtoj që të ketë individë të tillë, por kur thua ‘policia’, janë 9 mijë vetë. Si ngarkon të gjithë me fjalë në ajër? Ti ke ndërtuar pa leje këtu, po të ishe vetëm ti që ke ndërtuar pa leje, do ta zgjidhnim këtë punë. Po s’je vetëm ti. Ne i kemi bërë legalizimet, dhe se ke bërë ti. Po, meqë ti pretendon se ke paguar para, do të shkojmë bashkë në polici dhe do ta denoncojmë personin që thua ti dhe do t’i shkojmë deri në fund atij personi që të ka cenuar, sepse është turp i madh që e thua kështu. Normalisht kjo nuk duhet të ndodhte. Nuk e përjashtoj që ka të tillë, por ama, në bazë të ligjit, ti je po aq fajtor sa ai që e ka bërë këtë gjë nëse e ka bërë me ty, pasi dyshoj shumë. Do t’i shkojmë deri në fund kësaj pune, unë me ty dhe do të të mbështes deri në fund. Nuk do të lejojmë këta njerëz të godasin dhe të nxijnë imazhin e shumicës. Patjetër ka punonjës policie që meritojnë ndëshkim, infermierë dhe mjekë ka nga të gjithë, por nuk janë shumica. Shumica nuk e meritojnë të futen në një thes dhe që të mos futen të gjithë në thes, raste si kjo do shfrytëzohen në të mirë të shoqërisë. Do ta shfrytëzojmë të gjithë bashkë. Janë bërë 270 mijë legalizime. Do t’i shkojmë bashkë kësaj pune, dhe nëse dikush të ka kërkuar të paguash, do ta paguajë ai, por ti do tregosh kush është ky që të ka kërkuar. Kur ne kemi marrë detyrën, kanë qenë 21 mijë, janë bërë 270 mijë. Pse nuk kanë mbaruar? Janë dhe mbi 60 mijë që po vazhdon procesi. Që ka rrugë në Tiranë dhe kudo, qofshin nëpër zona që nuk janë si duhet, nuk e diskutoj fare, por ama ti ke të gjithë akset kryesore që të kanë ardhur te dera e shtëpisë.

Qytetari: Nuk me duhen

Rama: Unë e di shumë mirë që ty nuk të duhen, sepse ti për këtë ke ardhur këtu. Sepse t’i kë bërë një ndërtim paleje dhe kërkon pse te ndërtimi jot pa leje nuk ka 5 metra rrugë.