Berisha jep premtimin për studentët: Nuk do të ketë ka tarifa dhe as mesatare

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar sot nga në Sarandë kandidatët e qarkut Vlorë, ndërsa ka folur dhe për pikat kyçe të programit të selisë blu.

Duke u ndalur tek të rinjtë, ai dha një premtim të fortë, që lidhet me tarifat studentore të tyre. Ashtu si herë të tjera, Berisha premtoi se studentët do të marrin një minimum prej 200 eurosh, minimum jetik ky që do u shërbejë që ata të shlyejnë pagesat e nevojshme mujore.

“Saranda a mund të jetë madhështore pa rininë e vet? Një vend pa rini është një vend pa ëndërr, një shkretëtirë njerëzore. Nëse ka një vend që humb rininë në mënyrën më të pamëshirshme, është Shqipëria e këtyre 12 viteve. A e dini ju se OKB njoftoi se Shqipëria do ketë lindshmërinë më të ulët në botë, për shkak të largimit e të rinjve. A nuk janë këto klithma që dalin nga shpirti i kombit, nga thellësia e dheut e këtij vendi, që ne të bëjmë të pamundur, që të rinjtë tanë të ndërtojnë në Shqipëri ëndrrën e tyre?

Do bëjmë gjithçka që çdo i ri të shkollohet. Hiqet mesatarja, s’ka më mesatare. S’ka më tarifa, simbolike do jetë, ose do hiqet fare.

Bursa 200 euro do jetë. Punësimi i çdo të riu, çdo sipërmarrësit do i paguhet siguracionet për 1 vit. Çdo i ri që martohet e do ndërtojë familjen e tij në Shqipëri do ketë një grant prej 30 mijë eurosh. Fëmija e tretë do paguhet nga shteti deri në 23 vjeç. Fëmija i parë do ketë një bonus 70 euro, fëmija i dytë do ketë një bonus 60 euro. Do bëjmë gjithçka që të rinjtë në vetëm 10 vitet e fundit, janë larguar 700 mijë, të kthehen prapë në Shqipëri. Do financojmë bizneset e tyre, 5 vite do jenë pa taksa. Një komb pa rini, është një komb pa të ardhme”, tha Berisha.

Berisha në fjalën e tij nuk ka kursyer fjalët e tij për madhështinë e Sarndës ku vlerësoi edhe paqen mes komuniteteve të ndryshme në këtë qytet. Lideri demokrat u ndal edhe tek pensionet për të cilat tha se janë qesharake.

“Të flasësh në Sarandë për Sarandën Madhështore, për Shqipërinë Madhështore është më e bazuar se kudo tjetër pasi në çdo pamje që të shohësh këtë rreth ka madhështi të përjetshme. Saranda ka një trashëgimi kulturore, natyrore të jashtëzakonshme. Është treva e bizhuve më të bukura të kulturës së njerëzimit. Ka parkun kulturor natyror më mahnitës të cilin ndoshta nuk e ka asnjë vend tjetër në botë. Sarandë ka madhështinë e njerëzve të vetë. Këtu në këtë trevë, shqiptarë, grekë, njerëz me prejardhje të ndryshme jetojnë në paqe ndër shekuj.

Po cila është Saranda e jonë sot? Saranda është qyteti i burrave dhe grave të moshuar që pasi kanë shkrirë jetën e tyre në këtë qytet përjetojnë tiraninë e mjerimit. Përjetojnë një mbijetesë me një pension më qesharakun. Miq nuk duhet të harrojmë një gjë. Ne që përjetuam diktaturën, në fakt ajo ishte diktaturë e luftë e klasave. Sot pensionisti, punëtori i ndërtimit, mjeku, mësuesi, inxhinieri, profesionisti jeton me një pension i cili çdo ditë e më shumë vështirëson ushqimin e përditshëm. I le pa ilaçe. Këtë javë nuk po i marr ilaçet. Cili është ai që mund të kënaqë veten apo njerëzit e tij me një pension qesharak si ky. Dhe mos harrojmë se 50% e tyre nuk marrin 170 mijë Lekë. Pra çfarë ndodhi në këtë vend. Si ka mundësi që u rikthye skamja? Po, po sepse çmimet nga viti 2013 e sot janë mbidyfishuar, shumica e ushqimeve bazë”, tha Berisha.

Berisha theksoi se i gjithë programi i Partisë Demokratike bazohet në dy parime kryesore, teksa ftoi qytetarët që mos ta shikojnë këtë si një projekt partiak

“I gjithë programi ynë bazohet në dy parime: paratë shqiptarëve, paratë qytetarëve dhe e dyta një mundësi e re për çdo shqiptar. Ndaj dhe ftoj që qytetarët mos ta gjykojnë si projekt partiak, të mos e gjykojnë si projekt politik, por si një projekt për çdo shqiptarë”, tha Berisha.