Fadi Alwan, babai i palestinezes Rayyan Alwan, të vrarë dy muaj më parë në Tiranë, është arrestuar në Liban.
Ai akuzohet për vrasjen e së bijës dy muaj më parë në kryeqytet. Tashmë, pritet që 49-vjeçari palestinez të ekstradohet drejt Shqipërisë.
Shqipëria nuk ka marrëveshje ekstradimi me Libanin, por kur bëhet fjalë për vepra të rënda penale është një konventë që mund të përdoret për të realizuar ekstradimin.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Akuzohet se vrau me mjet prerës, vajzën e tij, rreth 2 muaj më parë, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, arrestohet në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, 49-vjeçari palestinez.
Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, F. A., 49 vjeç.
Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, i ka caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”. Nga hetimet e deritanishme, dyshohet se shtetasi F. A., në shkurt 2025, në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”, Tiranë, ka vrarë me mjet prerës, vajzën e tij, shtetasen R. A..
Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave të Interpolit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri.
