Rritet konsumimi i drograve, mjekët: Pasoja të rënda në shëndetin e të rinjve

Konsumimi i drograve tek të rinjtë ka njohur një rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke u shoqëruar shpesh edhe me përdorimin e alkoolit.

Sipas mjekëve specialistë, ky kombinim ka pasoja të rënda për shëndetin që mund të çojnë deri në fatalitet.

“Ka pacientë që konsumojnë vetëm një drogë, por ka edhe pacientë që i konsumojnë të dyja bashkë. Shfaqja klinike është e ndryshme, mund të vijnë edhe me shenjat e paranojave, mund të vijnë të axhituar, në momentin që i konsumojnë të dyja këto substanca. Rastet mund të jenë miokardi, të cilët janë moshat e reja që vijnë në urgjencë, mund të jetë një komë, një hemorragji në pjesën e kokës që mund të ndodhi për shkak të overdoseve me kokainë, por dhe nga intoksikacioni me alkool, pra kombinimi i të dyjave mund të marrë edhe jetën, pra mund të ketë shenja fatale,” tha Matilda Kambo, mjeke toksikologe.

Shoqëria, jeta e natës, dëshira për të eksperimentuar janë vetëm disa nga faktorët që i shtyjnë të rinjtë të jenë konsumues të vazhdueshëm të drograve dhe alkoolit.

“Shoqëria, jeta e natës, pjesa sociale ndonjëherë e gjejnë dhe si ngushëllim ose e provojnë dhe si qejf, e provojnë për ta provuar, për të eksperimentuar dhe më pas fillon një varësi,” shtoi ajo.

Mjekët këshillojnë të rinjtë të shmangin eksperimentimin me substancat narkotike, pasi mund të kenë pasoja të rënda për shëndetin e tyre fizik dhe mendor.