Takimi final i projektit për përmirësimin e aftësive digjitale në shkollat e komunitetit rom dhe egjiptian

Përmbyllet me sukses takimi final i projektit “Përmirësimi i aftësive digjitale dhe aktiviteteve jashtëshkollore” në shkollat e komunitetit rom dhe egjiptian, në kuadër të programit EduJobs, i zbatuar nga OSFA dhe i financuar nga Bashkimi Europian. Ky projekt kishte si qëllim modernizimin e arsimit dhe mundësimin e një mësimi më efikas për nxënësit, duke sjellë rezultate të rëndësishme në përmirësimin e infrastrukturës dhe kompetencave digjitale në shkollat “Sulë Misiri”, “Qemal Haxhihasani” dhe “Ptoleme Xhuvani” në Elbasan.

Takimi, i organizuar nga INAC, pati një pjesëmarrje të gjerë nga të gjithë aktorët që kontribuan në finalizimin me sukses të këtij projekti 1-vjeçar, që mundësoi trajnimin e rreth 30 mësuesve, angazhimin e më shumë se 150 prindërve dhe 2880 nxënësve në 64 orë aktivitete jashtëshkollore. Ky projekt pati një impakt të madh në përfshirjen e komunitetit dhe shkollave në mësimin e kombinuar, duke rritur ndërgjegjësimin për rëndësinë e arsimit dhe pjesëmarrjes së fëmijëve, veçanërisht të vajzave, në aktivitete shkollore dhe jashtëshkollore.

Takimi final u moderua nga pedagogia e Punës Sociale, Sabina Belshaku, e cila nxiti diskutime mbi sfidat dhe arritjet, duke theksuar se një bashkëpunim i tillë është në funksion të arritjes së qëllimit për fuqizimin e trinomit “Shkollë-Familje-Komunitet”.

Në këtë tryezë, Steisi Daca përfaqësoi figurën e studentit ekselent, si një model suksesi. Ai ndau me të pranishmit histori personale, duke u kthyer në një model frymëzues për bashkëmoshatarët e tij.

Romina Sefa, drejtuese e organizatës për Advokim Social, theksoi se falë bashkëpunimit me prindërit, rezultatet janë të garantuara, duke i dhënë më shumë rëndësi arsimimit si një rrugë drejt suksesit.

Drejtueset e shkollave, Ilda Nako, Margarita Kaci dhe Blerina Dollani, në fjalën e tyre përshëndetën aktivitetin dhe shprehën falënderime për mundësitë që ofrojnë projekte të tilla.

Valbona Gjini, përfaqësuese e ZVA, theksoi rëndësinë e projekteve gjithëpërfshirëse për nxënësit, si një mundësi angazhimi produktiv.

Gjatë takimit, prindërve pjesëmarrës iu mundësua një sesion trajnimi mbi përdorimin e sistemit SMIP, për t’u njohur në kohë reale me rezultatet e nxënësve si dhe me vijueshmërinë e tyre në shkollë.

Drejtuesja e INAC, Fatbardha Nergjoni, theksoi rezultatet e arritura gjatë këtij projekti njëvjeçar, duke theksuar se këto rezultate nuk do të mund të arriheshin pa bashkëpunimin e frytshëm me mësuesit, prindërit dhe vetë nxënësit, të cilët përqafuan risinë e “Afterschool” dhe u angazhuan për të rritur aftësitë, rezultatet dhe për t’u afruar më shumë me shkollën.