51 persona humbën jetën, mbi 100 të plagosur, disa mjaft rëndë. Detaje nga tragjedia e koncertit në klubin e natës në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut ka bërë me dije se po arreston të gjithë personat që kanë lidhje me organizimin e koncertit në Koçan ku mbetën të vdekur 51 persona. Shkaku i saktë i zjarrit nuk është përcaktuar ende nga autoritetet por dyshohet se fishekzjarret e cilat u ndezën në skenë sollën që të përfshihej nga flakët ambienti.

Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) po punon aktivisht për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë, ndërsa është në proces marrja në pyetje e dëshmitarëve dhe personave përgjegjës. Mediat raportojnë se në spitalin e Koçanit janë dërguar 30 persona të lënduar, ndërsa rreth 60 të tjerë janë transportuar me automjete në spitalin e Shtipit.

Në vendngjarje, përveç ministrit Pançe Toshkovski, tashmë kanë mbërritur edhe Stojançe Angelov, drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave (QMK), dhe Aleksandar Janev, drejtori i Byrosë për Siguri Publike (BSP). Është paralajmëruar edhe mbërritja e kryeministrit të vendit Hristijan Mickoski.

Ministri i Brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pance Toshkovski, gjatë një konference për media konfirmoi se deri tani janë gjetur 51 viktima dhe mbi 100 të tjerë janë plagosur, shumë prej të cilëve ndodhen në gjendje të rëndë. Ministri Toshkovski ka thënë se autoritetet janë angazhuar me shpejtësi për të ofruar ndihmën e nevojshme dhe për të hetuar shkaqet e këtij zjarri tragjik.