Barcelona në shok, humb jetën mjeku i ekipit!… Pezullohet ndeshja ndaj Osasunës

SPANJE – Lajmi i hidhur, më pas pezullimi i ndeshjes (21:00). Ka ndërruar jetë në moshën 40-vjeçare mjeku Carles Minarro, anëtar i stafit mjekësor të Barcelonës. Klubi e konfirmoi lajmin në një deklaratë zyrtare:

“Barcelona njofton vdekjen e mjekut të ekipit të parë Carles Minarro Garcia këtë mbrëmje. Për këtë arsye, ndeshja e sotme mes Barcelonës dhe Osasuna është shtyrë deri në njoftimin e dytë. I gjithë klubi dhe Bordi përqafon familjen dhe miqtë në këtë moment të vështirë”.

Sipas Marca , Minarro humbi jetën në hotelin ku skuadra ishte e grumbulluar. Barcelona mbërriti në stadium, lajmi iu dha për lojtarët vetëm kur të gjithë kishin mbërritur në dhomat e zhveshjes së Olimpico Montjuic. Askush nuk doli në fushë për t’u ngrohur dhe më vonë altoparlantët konfirmuan se ndeshja do të shtyhej deri në një njoftim tjetër.

Osasuna pranoi menjëherë shtyrjen e ndeshjes, siç konfirmoi presidenti Luis Sabalza: “Barcelona na komunikoi lajmin dhe ne duam t’i shprehim ngushëllimet tona. Nuk kemi shkaktuar asnjë problem me pezullimin, sepse jeta është gjëja më e rëndësishme. Nuk mund të luash duke menduar se personi me të cilin ke ndarë përgjithmonë nuk është më atje”.