Arrestime dhe procedime penale për shkelje të ligjit nga policia e Elbasanit

Elbasan, 7 mars 2025 – Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka zhvilluar disa operacione dhe hetime, ku janë realizuar arrestime dhe procedime penale për individë të ndryshëm në qarkun e Elbasanit.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin D. S., 53 vjeç, për kundërshtim të punonjësve të Policisë, gjatë verifikimit të dokumentacionit të një automjeti të dyqanit të bashkëshortit të vajzës së tij, shtetasit M. T. Po ashtu, u procedua penalisht shtetasi M. T., 35 vjeç, pasi gjatë kontrollit në subjektin e tij u konstatua se nuk kishte kasë fiskale dhe kishte punësuar një shtetas pa e siguruar.

Nga ana tjetër, specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin F. R., 26 vjeç, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Gjithashtu, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Peqin referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për dy 17-vjeçarë, të cilët janë konfliktuar fizikisht për motive të dobëta.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.