Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet pas zjarrit të fundit në nëntor të vitit të kaluar të regjistruar në malin e mbetjeve në landfillin e Elbasanit
Akuza për krim mjedisor është në proces hetimi tha prokurori i cështjes duke mos dhënë më shumë detaje. Në fillim të marsit akuzat u zgjeruan me shpërdorim detyre për përgjegjësit e inceneratorit pas provave dhe dokumentacionit të ri të grumbulluar nga prokuroria.
Inceneratori ka kushtuar 26 milion Euro dhe u vu në funksion në vitin 2017 për tu sekuestruar më pas nga një hetim për abuzime me fondet.
Prokuroria e Elbasanit ka shtrirë hetimin në shërdorim detyre për stafin drejtues të kompanisë Eco Elb që administron inceneratorin e Elbasanit nisur nga zjarri i rënë në nëntor të vitit 2024 që solli ndotje të konsiderueshme për banorët.
Hetimi në vazhdim
Në përgjigje të kerkesës për informacion Prokuroria e Elbasanit deklaroi në pak rrjeshta se është regjistruar procedimi penal për shoqërinë Eco Elb për veprat penale të parashikuara nga neni 201/a “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive”, ështje e nisur në 09.11.2024 pas refrimit nga komisariati i policisë Elbasan pas zjarrit tretë në landfillin e tejmbushur pranë inceneratorit. Sipas prokurorit hetimi ka nisur mbi një referim të policisë gjyqësore për zjarrin e rënë në vitin 2024. “Nuk mund të them se çfarë veprimesh po kryejmë pasi janë sekret hetimor” theksoi prokurori i çështjes Xhelian Seferi. “Ne po kryejmë veprime hetimore sipas dinamikës së çështjes”. I pyetur nëse është bazuar në ndonjë denoncim mbi rastin që e çon hetimin drejt shpërdorimit të detyrës, prokurori u përgjigj së ka një Memo të depozituar nga një anëtare e Këshillit Bashkiak ku është parashtruar një ankesë. Kjo memo është administruar si çdo e dhënë tjetër dhe do ti nënshtrohet verifikimit”. Prokurori gjithashtu theksoi se prokuroria është e hapur dhe mirëpret çdo person që mund të sjellë të dhëna që ndihmojnë hetimin.
Ndërkohë mësohet se për cështjen janë pyetur 5 persona të lidhur me administrimin e inceneratorit dhe janë sekuestruar një sërë dokumentesh për menaxhimin e shoqërisë aksionere vitet e fundit.
Këshilli Bashkiak nuk miratoi kontratën për vitin 2025
Ndërsa këshilli Bashkiak i Elbasan diskutonte rendin e ditës, një anëtar i këshillit bashkiak kërkoi që kontrata të mos miratohet pa një analizë financiare. “Ne nuk e dimë se si harxhohet 2500 lekë për ton mbetje, kur mund të jenë degë peme, barishte, drurë apo mbetje të tjera që nuk shkojnë në incenerim. Kjo kosto duhet të ketë një analizë ku shkojnë paratë” tha Ilirian Sadiku nga këshilltarët e majtë. Më pas këshilltarë nga e djathta kërkuan që kjo kontratë të hiqet fare dhe të rishikohet dhe jo thjesht të shtyhet për mbledhjen e radhës. Nënkryetari i këshillit, Zamir Muzhaqi deklaroi se deri në sqarimin e situatës, Elbasani ka nevojë për një landfill të ri të depozitimit të mbetjeve për shkak të tejmbushjes së inceneratorit. “Ne do të depozitojmë një memo për të marrë masa që të kemi një vendgrumbullim të ri” tha Muzhaqi gjatë kësaj mbledhjeje. Edhe pse debatet vazhduan, vendimi ishte për ta hequr nga rendi i ditës draft-kontratën dhe të depozitohen të gjitha kërkesat e këshilltarëve për rishikimin e saj në këshill.
