TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në një konferencë për mediat ka folur në lidhje me çmimet e larta të banesave. Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se qeveria do të detyrohet të ndërhyjë patjetër në lidhje me rritjen e çmimeve pasi kjo është bërë një problematikë shumë e mprehtë. Sipas tij narkoeurot kanë ngritur në qiell çmimet e qirave dhe çmimet e blerjeve.
Berisha shtoi se PD do ndërhyjë me ndërtesa sociale, të cilat qytetarëve do u shiten me çmime pak mbi kosto, por me çmime të pakrahasueshme me çmimet që shesin narkotrafikantët në këto monumente të korrupsionit. Sipas tij kjo i detyron të gjithë të zbresin edhe me çmime.
“Për fat të keq, e them këtu, qeveria do të detyrohet të ndërhyjë patjetër se kjo është bërë një problematikë shumë e mprehtë. Narkoeurot kanë ngritur në qiell çmimet e qirave dhe çmimet e blerjeve. Atëherë qeveria ka një zgjidhje, një mundësi, përveç zbutjes me mënyrë ta ndryshme, qeveria duhet të ndërtojë ndërtesa sociale, të cilat duhet të kenë një synim, çmimet reale, shitjen me çmime reale.
Dhe nuk është e dëshirueshme, por absolutisht do ndërhyjë. Ne do ndërhyjmë me ndërtesa sociale, të cilat qytetarëve do u shiten me çmime pak mbi kosto, por me çmime të pakrahasueshme me çmimet që shesin narkotrafikantët në këto monumente të korrupsionit. Kjo i detyron të gjithë të zbresin edhe me çmime. E dyta, po në këto ndërtesa, qiratë do jenë të caktuara nga shteti. Do jenë qira shumë të arsyeshme,” tha ai.














