Një ditë e zakonshme e Zelës nis ashtu si 35 vite më parë, por me shumë eksperiencë dhe një kontribut të madh kushtuar aftësisë të kufizuar në Librazhd.
Përkujdesi për djalin me aftësi ndryshe, organizata që themeloi “Medpak” dhe roli në qendrën multifunksionale janë e përditshmja e saj mbushur me aktivitete dhe sfida të reja.
Në murin e organizatës që shërben tashmë si një ekspertizë e konsoliduar në fushën e aftësisë së kufizuar gjen shumë certefikata nga viti 1995 e deri më sot.
“Certefikata e parë e Medpak është marrë që në ’95-n për vullnetarët jashtë vendit. Pastaj çdo vit kemi marrë shumë të tjera, por ajo që dua të veçoj është më e fundit e cila u mor mes 100 organizatave botërore dhe na u dha kjo në Kinë”- u shpreh ajo.
Medpak erdhi si nje domosdoshmeri për çiftin Koka, për shkak të kufizimit të aftësisë së djalit të tyre, Doris. I cili është kthyer sot në një shembull për t’u ndjekur. Doris është angazhuar si recepsionist në qendrën multifunksionale.
Sfida e personave me aftësi ndryshe pas moshës 21 vjeçare mbetet një shqetësim për Medpak dhe për vetë Zelën. Edhe pse në Librazhd është krijuar një frymë e mirë dhe pranuese, pyetja mbetet se kush do të kujdeset për këta individë kur prindërit të mos jenë më.
“Ne mendojmë që në çdo bashki duhet të ekzistojë një qendër që të angazhojë dhe mbrojë këta individë të paktën pesë ditë në javë. Që kur unë të mos jem më, personi me aftësi të kufizuara të jetë i mbrojtur”- shprehet Zela.
Zela shprehet se në këto vite janë përmbushur shumë problematika dhe janë realizuar shumë synime, por ajo që mbetet ende sfidë është punësimi.
“Duhet të fuqizohet këshillimi i karrierës sidomos për këta individë, që ne si prindër të orientohemi ku duhet ta drejtojmë fëmijën, që kur të ndjekin një gjimnaz qoftë profesional apo i përgjithshëm të garantohet se do të bëhet i zoti i vetes, jo ta bëjë kot sa për tu bërë”- shpjegon zonja Koka.
