Pas arrestimit të Erion Veliajt, Antuela Ristani është komanduar të marrë drejtimin e Bashkisë së Tiranës, për sa kohë që kryebashkiaku aktual do të jetë pas hekurave.
Deri më sot, Ristani ka mbajtur postin e zv.kryetares së Bashkisë së Tiranës.
Ndërsa Alban Dokushi është caktuar si administrator për të çuar para projektet e bashkisë. Si Ristani, ashtu edhe Dokushi, cilësohen ndër njerëzit më të besuar të kryebashkiakut Veliaj.
Ky vendim ka ardhur mbrëmjen e së martës, ku kryeministri Edi Rama ka shkuar sërish në bashkinë e Tiranës, të cilën e kishte vizituar dhe në orët e para të mëngjesit.
Para se të shkonte në Bashki për të bërë mbledhje me nënkryetarët dhe drejtorët, Rama ka takuar të deleguarit e PS në Hotel Tirana.
Në mbledhjen e Asamblesë mësohet të ketë thënë që Tiranën do ta marrë ai vetë përsipër, ndërkohë për Erion Veliajn ka thënë le të presim provat.
Ndërkohë që iu ka kërkuar të deleguarve që të punojnë më shumë se sa “dje” për të fituar kryeqytetin nga ky sulm elektoral.
Për Tiranën, përveçse në aspekt politik, mësohet sipas të pranishmëve që Rama e ka patur edhe për drejtimin e Bashkisë Tiranë, për të cilën ka thënë që do të ketë në vëmendje të gjitha punët dhe vendimet e bashkisë së kryeqytetit.













