Altin Lleshi është ish futbollist i ekipit Domozdova të Prrenjasit, ekip që bashkë me fushën e futbollit nuk ekzistojnë më.
Nostalgjia e dikurshme e emocioneve të futbollit është zëvendësuar nga dëshira e madhe për të pasur një fushë me parametra normalë dhe një ekip zinxhir moshash.
“Futbolli normalisht, si çdo fëmijë, e kam nisur në moshën tetëvjeçare, duke vazhduar, duke u stërvitur me ekipin e qytetit për disa vite kam përfaqësuar ekipin e Domosdovës. Më pas kam kaluar në qytetin e Cerrikut, në të cilën kam përfaqësuar ekipin e Turbinës, duke e ngjitur në kategori të parë. Më pas, disa vite jam stërvitur me ekipin e Sopotit-Librazhdit dhe atë duke e ngjitur në kategori të parë. U bë e rreth dhjetë vite që Prrenjasi nuk ka një ekip që të përfaqësoj qytetin, po ashtu nuk ka asnjë fushë sportive apo një stadium të vogël në të cilën mund të përfaqësohet ekipi i qytetit. Këtu ka ish-futbollistë, të cilët janë marrë prej vitesh duke e përfaqësuar qytetin. Momentalisht shumica e tyre janë mësues të edukimit fizik, dikush me një biznes.. Çdokush në tavolinat që ne ulemi në darkë, biseda e parë është rikthimi i ekipit të qytetit bashkë me një fushë, të cilën ne shpresojmë prej kohësh”- u shpreh ish-sportisti.
Ai sot mundohet të stërvisë fëmijë dhe të rinj, por në mungesë të terreneve sportive. Altini shpreson që viti 2025 do të jetë një vit rilindjeje për futbollin në qytetin e tij.
“Faktikisht fëmijët çdo ditë na pyesin, shikojnë dhe fotot në të cilat ne i publikojmë në rrjetet sociale apo kur mund të kemi bërë një kënd sportiv, ne i tregojmë historitë ndër vite. Ata si gjithmonë kanë ato ëndrrat e tyre të moshës. Dëshira shumë e madhe edhe shpresat janë shumë të mëdha, edhe shpresojmë dhe e kam besimin që ky do të jetë viti në të cilin do të rilindi edhe sporti në qytetin tonë”- u shpreh ai.
Banorët në Prrenjas, të mëdhenj e të vegjël, nëna e të moshuar e quajnë një domosdoshmëri që qyteti të ketë së pari një fushë e më pas të organizohet në një ekip si gjithë qytetet e tjera.
“E kanë të nevojshme, se të paktën kanë një sport që mund të merren, se rrijnë vetëm të tablet, vetëm në telefon. S’kanë asnjë lloj argëtimi vetëm lojërat janë, s’ka gjë tjetër”- tha një qytetare.
“Nuk është zgjedhje e duhur, futbolli duhet. Si si mungon fusha? Ajo është gjëja kryesore”- theksoi një tjetër.
“Është është komplet me baltë. Ne do të duam një fushë futbolli që të kemi mundësi ku të luajmë dhe të stërvitemi.”
“Do donim që të kishim një fushë futbolli të re. I kërkojmë kryetarit të bashkisë që do na bëjë një fushë të re futbolli”- u shprehën disa fëmijë, të cilët luanin me top në trotuar e në rrugën ku kalonin vazhdimisht makina.
Vendin e fushës së dikurshme e ka zënë një investim i rilindjes urbane që ka kushtuar rreth 1 milion euro, ndërkohë që banorët shprehen se fondet për fushën janë zhdukur.
Këtu qe dhe një fushë dhe u prish, tani kanë bërë një fushë, e çuan lartë ajo nuk ekziston. Duhet të ketë edhe qyteti i Prrenjasit. Bashkia duhet ta shohë, duhet ta bënte, po u vodh fondi. Miliona para e sa u hodh, nuk e di se sa u bë ai fondi i kësaj fushë dhe nuk ekziston akoma”- u shpreh një qytetar.
Prrenjasi është një bashki me rreth 22 mijë banorë, por fatkeqësisht në buxhetin e saj ka parashikuar zero shpenzime për sportet dhe fonde të papërfillshme. Një dritë shprese është hapur sëfundi për fushën ekzistuese në gjimnazin Halit Bërzeshta për një investim nga Federata Shqiptare e Futbollit, por deri më tani nuk ka asnjë lëvizje konkrete dhe qytetarëve të Prrenjasit u mbetet vetëm të shpresojnë.
Deri atëherë fëmijët e tyre do të ngjiten nëpër kangjëlla e do të përdorin trotuarin dhe rrugën për të luajtur futboll.
