TIRANË- Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti ka marrë pjesë ditën e sotme në protestën e 42-të përpara Bashkisë së Tiranës. Teliti gjatë fjalës së tij u shpreh se do të vijë dita që zixhirët e derës së bashkisë do të jenë në duart e keqpërdoruesve, hajdutëve, kriminelëve dhe zaptuesve të zyrave të Bashkisë Tiranës.
Teliti u shpreh se paratë zhduken nga buxheti dhe në vend të shkojnë për shkollat që mungojnë për infrastruktura dinjitoze për një kryeqytet që aspiron të futen në BE. Ai tha se paratë vidhen dhe digjen nga 5D, zhduken në tendera dhe bashkia e Tiranës është kthyer tashmë në një bankë private e drejtuesve të saj.
“Një falenderim për të gjithë qytetarët, qëndrestarë dhe qëndrestare për këtë protestën e 42 para bashkisë, para godinës e cila sjell policinë që e rrethon dhe vendos zingjirë në dyert e bashkisë. Por jo e largët, madje shumë e afërt do të jetë dita që zixhirët e asaj dere do të jenë në duart e keqpërdoruesve, hajdutëve, kriminelëve dhe zaptuesve të zyrave të Bashkisë Tiranës duke filluar nga Veliaj e deri tek shërbëtori i tij i fundit që kanë vjedhur miliona euro.
E kanë kthyer buxhetin e bashkisë si me qenë bankë private dhe jo si të ishte një instrument zhvillimi për qytetin tonë. Zhduken paratë nga buxheti dhe në vend të shkojnë për shkollat që mungojn, për lulishte, për infrastruktura dinjitoze për një kryeqytet që aspiron të futen në BE, paratë vidhen dhe digjen nga 5D, zhduken në tendera dhe bashkia e Tiranës është kthyer tashmë në një bankë private e drejtuesve të saj. Turp, turp dhe vetëm turp.
Erion Veliaj u mandatove kryetar i Tiranës në 2015 por ti dhe bashkëpunërët e tu kryet vetëm punë të pista në krye të Tiranës ndaj ju mëritoni ndëshkimin. Jo ndëshkimin popullorë apo largimin por përballjen me drejtësinë e cila për hirë të vërtetës të fluturon si harabel rreth e rrotull po nuk po të sheh ende për të të kapur”, tha ai.
