Telefonata e 21-vjeçares që alarmoi dje Tiranën, policia shpall në kërkim 5të rinj

Katër djem u shpallën në kërkim në lidhje me ngjarjen e djeshme në Astir, ku ndërhyri policia për të nxjerrë nga apartamenti një vajzë 21 vjeçare në gjendje të rënduar psikologjike refuzonte të hapte derën.

Djemtë kanë qenë në apartament dhe kanë konsumuar gjatë gjithë natës kokainë, në shoqërinë e 3 vajzave, mes tyre edhe 21-vjeçarja. Ata janë me precedent të mëparshëm kriminal.

Vajza, në dëshmi, pasi është qetësuar, ka deklaruar se nuk është dhunuar dhe ka shkuar vetë me dëshirë, ndryshe nga versioni i parë që ka dhënë kur ka telefonuar policinë.

Sipas saj, është frikësuar në momentin që ka parë njërin me pistoletë. Aktualisht, në pyetje po merren njëra prej vazjave që kanë qenë brenda apartamentit.

Ndërkohë i dashuri i vajzës është identifikuar si Joni Sadikaj.

‘Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen S. Q. që kërkoi ndihmën e Policisë, ndërkohë që ndodhej në katin e tetë të një pallati në Astir, bëjmë me dije se:

Si rezultat i veprimeve hetimore të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve kundër Jetës dhe Pronës, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, janë identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasit:

S. S., 29 vjeç, A. A., 36 vjeç dhe O. A., 31 vjeç, të tre banues në Tiranë; J. S., 26 vjeç, banues në Tepelenë; dhe A. J., 40 vjeç, banues në Vlorë.

Nga veprimet e para hetimore të kryera për këtë rast dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë mbajtur të mbyllur shtetasen S. Q., në apartamentin ku ndodhej, i marrë me qira ditore.

Gjithashtu, ishte marrë me qira ditore apartamenti përballë në të cilin shërbimet e Policisë, ditën e djeshme, gjetën gjatë kontrollit, 2 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera personale që do t’i shërbejnë hetimit.

Vijon puna për kapjen e 5 shtetasve të shpallur në kërkim. Gjithashtu, vijojnë hetimet në bashkëpunim me Prokurorinë, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë.

Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe e municionit” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, njofton policia e kryeqytetit.