Shqipëria do të përfshihet sot nga një valë e re reshjesh të dendura shiu, të shoqëruara me shtrëngata dhe erë të fortë, ndërsa në disa qarqe paralajmërohet rrezik për përmbytje dhe rrëshqitje të dherave.
Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, situata më problematike pritet të jetë në qarkun e Shkodrës, ku reshjet do të jenë me intensitet shumë të lartë.
Reshje të dendura, herë pas here me intensitet shumë të lartë, parashikohen në Kukës, Dibër dhe Lezhë. Moti i keq do të përfshijë gjithashtu Tiranën, Durrësin, Vlorën dhe Gjirokastrën, ndërsa në Elbasan dhe Fier reshjet do të jenë mesatare, lokalisht intensive.
Instituti i Gjeoshkencave paralajmëron se në qarqet Shkodër, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër ekziston rreziku i vërshimit të përrenjve dhe lumenjve të vegjël malorë, si dhe i rrëshqitjeve të dherave.
Probleme me përmbytje të lokalizuara mund të shfaqen edhe në zonat urbane, ndërsa reshjet pritet të shtojnë prurjet në lumenjtë Drin-Bunë, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.



