TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një videokartolinë nga takimi dhe bashkëbisedimi me një grup studentësh, të cilët, sipas tij, mbështesin protestën paqësore dhe kundërshtojnë përdorimin e dhunës.
Në postimin e tij, Kryeministri bën të ditur se me studentët ka zhvilluar edhe debat, përmbajtjen e të cilit kanë rënë dakord të mos e bëjnë publike, por do ndajnë vetëm pamjet nga takimi.
Rama ka falënderuar gjithashtu drejtuesen e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Sara Bodo, për angazhimin në afrimin e të rinjve, pavarësisht bindjeve të tyre politike apo qëndrimeve të ndryshme.
“MIRËMËNGJES dhe me një videokartolinë nga dialogu me studentë që besojnë te protesta jo te gurët, me të cilët ramë dakord të mos e publikojmë hëpërhë debatin po vetëm pamjet, si edhe me falenderimin për Sara Bodon që e ka kthyer Agjencinë Kombëtare të Rinisë në një magnet për vajza e djem pa dallim bindjesh, ju uroj fundjavë të qetë,” shkruan kryeministri Rama në rrjetet sociale.
