TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga skema e mashtrimit përmes së cilës 25-vjeçari Albi Muça tentoi t’i merrte 1 milion euro një ndërtuesi në Tiranë, duke u prezantuar si kryeministri Edi Rama. Muça ka kontaktuar ndërtuesin përmes aplikacionit të komunikimit Signal, ku është prezantuar si kreu i qeverisë dhe i ka kërkuar shumën prej 1 milion eurosh.
Në vijim të komunikimit, ai i ka thënë biznesmenit se nuk do të shkonte vetë për të tërhequr paratë, por do të dërgonte një person tjetër për t’i marrë ato. Kjo mënyrë komunikimi ka ngritur dyshime te ndërtuesi, i cili ka kuptuar se mund të bëhej fjalë për një skemë mashtrimi dhe ka vendosur të denoncojë rastin në Polici.
Pas denoncimit, uniformat blu kanë organizuar operacionin e koduar “Request”, duke ndërhyrë në momentin kur Albi Muça po merrte shumën e parave. 25-vjeçari është arrestuar në flagrancë. Ndërkohë, Policia po vijon hetimet për të zbuluar nëse në këtë skemë janë përfshirë edhe persona të tjerë.
