TIRANË- Administrata Doganore ka bllokuar një ngarkesë me mbi 2.1 ton produkte ushqimore dhe lodra për fëmijë, pasi gjatë kontrollit në Tiranë u konstatua se në etiketat e tyre mungonte informacioni për datën e skadencës ose afatin e përdorimit. Bëhet fjalë për 156 mijë njësi produktesh të ambalazhuara, të cilat nuk përmbushnin kërkesat e detyrueshme të etiketimit.
Mallrat janë bllokuar dhe nuk do të lejohen të hidhen në treg deri në përfundimin e verifikimeve dhe procedurave ligjore. Kontrolli u krye në kuadër të masave për respektimin e standardeve të importit dhe mbrojtjen e konsumatorëve, ndërsa autoritetet doganore po vijojnë shqyrtimin e rastit.
Njoftimi i plotë:
Tiranë, dogana bllokon mbi 2,1 ton produkte ushqimore e lodra për fëmijë
– Administrata Doganore, e angazhuar për mbrojtjen e sigurisë dhe interesave të konsumatorëve
Në kuadër të kontrolleve doganore të bazuara në analizën e riskut, Dega Doganore Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Monitorimit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, konstatoi një ngarkesë prej 156 mijë njësish produktesh ushqimore e lodra të ambalazhuara, me parregullsi në përmbushjen e kërkesave të detyrueshme të etiketimit.
Gjatë kontrollit fizik u evidentua mungesa e informacionit mbi datën e jetëgjatësisë minimale ose afatin e përdorimit në etiketimin e produkteve përfundimtare, sipas kërkesave të përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave, nr. 434, datë 11.07.2018, “Për etiketimin e ushqimeve dhe informimin e konsumatorit”.
Nisur nga ndjeshmëria e lartë e rastit, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, ka kërkuar nga Dogana e Tiranës dhe strukturat përgjegjëse të Drejtorisë së Përgjithshme angazhimin maksimal për kryerjen e verifikimeve dhe trajtimin ligjor të mëtejshëm. Për parregullsitë e konstatuara, autoritetet doganore vendosën bllokimin e ngarkesës dhe mosçlirimin e mallrave, deri në përfundimin e procedurave dhe verifikimeve ligjore.
Administrata Doganore Shqiptare vijon kontrollet për garantimin e respektimit të kërkesave ligjore për mallrat e importuara, parandalimin e vendosjes në treg të produkteve të papërputhshme dhe mbrojtjen e sigurisë e të interesave të konsumatorëve.
