BallinaBotaTragjedia në Poloni/ Ndërron jetë 24-vjeçari që vrau 9 persona në Krakov,...

Tragjedia në Poloni/ Ndërron jetë 24-vjeçari që vrau 9 persona në Krakov, publikohen pamjet e përplasjes me policinë

POLONI- Polonia vijon të jetë e tronditur nga ngjarja e rëndë e ndodhur të shtunën pasdite në Krakov, ku 24-vjeçari Michal Oksinski dyshohet se vrau nëntë persona, mes tyre babanë, nënën dhe motrën e tij, si dhe gjashtë persona të tjerë të moshës 32 deri në 61 vjeç. Sipas autoriteteve polake, 24-vjeçari ka ndërruar jetë të hënën në mëngjes, pasi u neutralizua gjatë përplasjes me forcat e policisë.

Ndërkohë, janë publikuar pamje të reja nga momenti kur dy efektivë policie u përballën me të. Në video shihet se si policët zbresin nga automjeti i patrullës dhe përpiqen ta ndalojnë autorin, pasi makina e tij përplaset me një automjet tjetër.

Gjatë përplasjes, të dy efektivët mbetën të plagosur nga të shtënat. Njëri prej tyre arriti ta qëllonte 24-vjeçarin, duke i dhënë fund sulmit. Efektivi që pësoi plagët më të rënda iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe aktualisht po lufton për jetën.

Hetimet për motivet e sulmit

Ndërkohë, Prokuroria e Krakovit ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, e cila po trajtohet si një akt terrorist. Gjatë kontrolleve në banesën ku jetonte 24-vjeçari, në zonën e Ostrowiec Świętokrzyskie, autoritetet sekuestruan një sasi të konsiderueshme municionesh dhe 11 armë zjarri. Në banesë ishin gjetur më herët të pajetë edhe prindërit dhe motra e tij.

Hetuesit janë të bindur se autori ka vepruar i vetëm dhe po përpiqen të zbardhin profilin e tij psikologjik dhe motivet që e çuan drejt këtij sulmi. Ministri i Brendshëm polak, Marcin Kierwiński, deklaroi se 24-vjeçari kishte pikëpamje ultranacionaliste dhe se të dhënat paraprake tregojnë një prirje drejt ideologjisë së ekstremit të djathtë.

Oksinski nuk rezultonte të kishte precedentë penalë. Sipas informacioneve të bëra publike, ai shkonte çdo të diel me të atin në një poligon qitjeje për të praktikuar qitjen. Megjithatë, përfaqësuesit e klubit kanë mohuar se atij i janë mësuar teknika taktike apo ushtarake të përdorimit të armëve.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular