TIRANË — Qeveria shqiptare po përgatit ndërhyrje ligjore në paketën e taksave vendore për të vendosur një taksë të re mbi apartamentet që rezultojnë bosh në të gjithë vendin, me synim frenimin e informalitetit në tregun e qiradhënies ditore dhe javore.
Gjatë diskutimeve në mbledhjen e Komisionit për Ekonominë dhe Biznesin, u bë e ditur se rreth 40 mijë prona pritet t’i nënshtrohen këtij regjimit të ri taksimi. Nisma synon detyrimin e pronarëve për të formalizuar veprimtarinë e tyre ose për të paguar detyrimet përkatëse mbi pronën.
Ministri i Financave, Petrit Malaj, deklaroi se autoritetet po punojnë për të marrë informacion të zgjeruar automatik nga platformat ndërkombëtare si Airbnb dhe Booking, si dhe përmes sistemit bankar.
“Jemi duke punuar për të marrë një informacion më të zgjeruar nga Airbnb dhe Booking, për të ardhurat që realizojnë në Shqipëri, por edhe të ardhurat që fitojnë personat që lëshojnë këto apartamente me qira. Është një informacion sensitiv, ne do të kërkojmë informacion automatik nga bankat për të ardhurat që marrin nga këto platforma, por jo vetëm edhe nga Instagram, Facebook etj. Në momentin që marrim këtë informacion nga bankat do të jemi në gjendje të kryqëzojmë të ardhurat që marrin këto individë. Edhe në ligjin në taksat vendore, do të vendosim një taksë për apartamentet që janë bosh dhe do të jetë i detyruar ose ta deklarojë që e jep me qira afatshkurtër ose do ta deklarojë bosh, dhe do të paguajë taksën mbi pronën. Po punojmë me disa mekanizma”, u shpreh ministri Malaj.
Përmes këtij mekanizmi kryqëzimi të të dhënave financiare dhe deklarimeve të pronave, ekzekutivi synon të futë në skemën tatimore të gjithë individët që përfitojnë të ardhura nga dhënia e apartamenteve me qira afatshkurtër nëpërmjet rrjeteve sociale dhe platformave digjitale.
