Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e sotme në rrethin e Bulqizës, ku një 53-vjeçar ka humbur jetën pasi dyshohet se është sulmuar nga një kafshë e egër. Sipas të dhënave paraprake nga uniformat e pluta, bëhet me dije se rreth orës 14:10, Spitali i Bulqizës ka njoftuar Sallën Operative të Komisariatit të Policisë se familjarët e shtetasit U. F. kishin kërkuar ndihmë mjekësore urgjente për të afërmin e tyre, i cili mbante plagë të rënda të shkaktuara nga kafshimi i një ariu.
Me të marrë njoftimin, shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje për t’i dhënë ndihmën e nevojshme 53-vjeçarit. Megjithatë, zyrtarët e rendit kanë konstatuar se shtetasi U. F. kishte ndërruar jetë si pasojë e dëmtimeve të marra përpara mbërritjes së ndihmës mjekësore.
Trupi i pajetë i 53-vjeçarit është transportuar drejt Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku do t’i nënshtrohet ekzaminimeve të mëtejshme mjeko-ligjore për të përcaktuar me precizion shkaqet e vdekjes dhe llojin e dëmtimeve.
Për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tragjike, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, ka nisur punën në terren për sqarimin dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave të situatës.



