Në dy vitet e fundit, bota e teknologjisë u përfshi nga një prej valëve më të egra të euforisë në historikun e saj: premisa e Inteligjencës Artificiale Gjenerative.
Nga korridoret e Silicon Valley e deri te sallat e bordeve të korporatave më të mëdha të ëall Street, narativa ishte e qartë: IA nuk ishte thjesht një vegël e re, por një revolucion industrial që do të ndryshonte rrënjësisht produktivitetin njerëzor, do të zhdukte profesione të tëra dhe do të krijonte një epokë të re të pasurisë digjitale.
Megjithatë, sot, tregu po përballet me një realitet krejtësisht të ndryshëm. Vendimi i OpenAI për të shkurtuar objektivin e tij të financimit me një vlerë kolosale prej 10 miliardë dollarësh është vetëm simptoma më e dukshme e një fenomeni më të gjerë. Ky është plasja e fluskës së parë të entuziazmit dhe kalimi në një fazë të ftohtë të llogarive financiare.
Paradoksi i “Çekut të Bardhë” dhe presioni i Wall Street
Gatishmëria e investitorëve për të shkruar çeqe të pafundme, të bazuara vetëm mbi video-prezantime mbresëlënëse në rrjetet sociale, ka përfunduar.
Bankat e mëdha të investimeve, me në krye Goldman Sachs dhe Sequoia Capital, kanë nisur të shtrojnë pyetjen më të thjeshtë, por më të frikshme për startup-et e IA-së: Ku është Kthimi nga Investimi?
Infrastruktura e kërkuar për të trajnuar dhe mbajtur në punë këto modele është unike në historinë e kompjuterikës për nga shtrenjtësia e saj. Çipat më të fundit të Nvidia-s, ndërtimi i qendrave masive të të dhënave dhe konsumi kolosal i energjisë elektrike kërkojnë qindra miliarda dollarë investime kapitale.
Nga ana tjetër, të ardhurat që gjenerohen nga abonimet $20/muaj të ChatGPT Plus apo nga përdorimi i thjeshtë i API-ve nga bizneset, janë mikro-shuma përpara shpenzimeve të trajnimit.
Investitorët po zbulojnë se IA gjenerative nuk i ka marzhet e larta të fitimit të pastër që kishte softueri tradicional si windows apo rrjetet sociale, ku kostoja për t’i shërbyer një klienti të ri ishte pothuajse zero. Tek Inteligjenca Artificiale, çdo pyetje e vetme që bën përdoruesi ka një kosto direkte në fuqi kompjuterike.
Muri Teknik: Rendimentet në Rënie
Për gati 34 muaj, e gjithë industria funksionoi nën një dogmë të verbër shkencore, që njihet si Ligji i Shkallëzimit. Ky ligj thotë se nëse rrit madhësinë e modelit ai do të bëhet automatikisht dyfish më inteligjent.
Sot, inxhinierët më të mirë të OpenAI, Google dhe Anthropic po përplasen pas një muri teknik. Trajnimi i një modeli që kushton 1 miliard dollarë nuk po rezulton më dyfish më i zgjuar se modeli paraardhës që kushtoi 500 milionë dollarë. Ai është thjesht pak më i mirë në eliminimin e gabimeve bazë, por jo rrënjësisht më inteligjent.
