Dy prokurorë kanë nisur me iniciativën e tyre hetimet për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Kryerja e veprimeve arbitrare”, ku dyshohen oficerë të Policisë së Shtetit, pas konfliktit gjatë të cilit u plagos 28-vjeçari Erjon Vishkulli.
Në kuadër të hetimeve janë administruar rreth 20 kartela mjekësore të personave të dëmtuar, mes tyre edhe ajo e 28-vjeçarit.
Ditën e nesërme, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, mëson se Prokuroria pritet të dërgojë në Itali një letër-porosi për të siguruar materialin që do të nxirret nga syri i Erjon Vishkullit, si provë, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një plumb gome apo material tjetër.
Për këtë, prokurorët kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në Bankën e Shqipërisë, kartelën mjekësore të 28-vjeçarit pranë Spitalit të Traumës, si dhe po kryejnë veprime të tjera hetimore që bazohen te Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, siç është administrimi i listës me emrat e oficerëve të FNSH-së që gjendeshin të plan-vendosur të shtunën pranë godinës së Bankës, selisë së PS-së dhe Ministrisë së Bujqësisë.
Ndërkohë, edhe dy grupe të tjera prokurorësh po hetojnë për tejkalim të detyrës nga policia gjatë protestave disaditore në Tiranë. Janë sekuestruar 20 kartela mjekësore dhe është kërkuar rregullorja se si vepron policia në rastet e protestave.
Po hetohen për veprime arbitrare edhe plagosja e Ledion Ballës, të cilit iu thye këmba, rrahja e disa protestuesve dhe dëmtimi i një të riu që rrëzohet përtokë nga një oficer me skafandër.
Njëherazi, disa grupe prokurorësh kanë përfaqësuar akuzën për afro 200 të arrestuar, të cilët kanë dalë për masa sigurie gjatë dy javëve të protestave. Ata janë nën hetim, mes të tjerash, edhe për sulm ndaj institucioneve dhe dëmtim të pronës publike.



