Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja ndëshkuese për mësuesit që, sipas tij, përdorin autoritetin e tyre për të përfshirë fëmijët në protesta të paligjshme. Në paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane parashikohen ndryshime në Kodin e Etikës së Mësuesve, të cilat mund të çojnë në pezullimin ose përjashtimin e tyre nga detyra.
Paralelisht, qeveria synon të ashpërsojë dispozitat penale për personat e maskuar gjatë protestave të dhunshme, nxitjen e dhunës në internet dhe kërcënimet ndaj funksionarëve publikë.
“Asnjë mësues nuk mundet t’i çojë fëmijët në protesta të paligjshme, duke përdorur autoritetin e tij. Kush e bën, do të pezullohet apo përjashtohet”, deklaroi Rama gjatë prezantimit të paketës, e cila përbëhet nga gjashtë instrumente ligjore.
Kryeministri bëri të ditur se fshehja e fytyrës gjatë protestave ku ushtrohet dhunë do të parashikohet si vepër penale, me dënime që, sipas tij, mund të arrijnë deri në gjashtë muaj burg. Përjashtim do të bëjnë rastet kur personi zbulon fytyrën pas urdhrit të policisë. Ndryshimet parashikojnë gjithashtu dënime më të rënda për shkatërrimin e pronës, veçanërisht kur preken shkollat dhe objekte të tjera të përcaktuara, si dhe rritje me një të tretën të dënimit për goditjen e policëve apo qytetarëve kur autori është i maskuar.
Një tjetër pjesë e paketës lidhet me veprimtarinë në internet. Rama njoftoi se nxitja e dhunës përmes rrjeteve sociale, kanosja online dhe publikimi i të dhënave që ekspozojnë persona ndaj sulmeve do të trajtohen përmes dispozitave të reja ose të ndryshuara penale. Po ashtu, parashikohet ndëshkim më i rëndë për nxitjen e dhunës kur ajo u drejtohet fëmijëve ose kur thirrja pasohet nga akte të dhunshme.
Sipas Ramës, ndryshimet do të përjashtojnë shprehimisht protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë nga ndëshkimi. Paketa parashikon gjithashtu masa kundër përdorimit të inteligjencës artificiale për të shkaktuar dëm ndaj personave, si dhe mbrojtje më të fortë penale ndaj kërcënimeve që u drejtohen funksionarëve publikë dhe familjarëve të tyre.
Identifikimi i personave të maskuar. Sot në ligjin ekzistues prania e personave të maskuar në protestë është e ndaluar. Por ne do ta përfshijmë këtë në kodin penal.
Sanksione të parashikuara. Nuk ndodh askund në asnjë vend të BE që një grup njerëzish të ushtrojë arbitrarisht lirinë e protestës, duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet, duke u penguar punën dhe shkollën. Pjesëmarrja në një tubim pa leje, mos-dëgjimi i thirrjeve për shpërndarje do të gjobiten deri në 500 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 mijë lekë të reja.
Me VKM krijohet regjistri i posaçëm elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit. Ky regjistër administrohet nga Policia dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre shtetasve. Do u refuzohet dalja nga vendi personave që synojnë t’i shmangen veprave penale. Do njoftohen edhe autoritetet e huaja për rrezikshmërinë që ai paraqet. Përfshi edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren. Të jetë i bindur çdo person, foftë si ata me bluza të bardha dhe me maska që kishin ardhur dje si mercenarë për të ushtruar dhunë, dhe që tregonin muskujt para Ministrisë së Arsimit, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të riyrë i qetë në Europë, pa mbaruar punë me drejtësinë këtu në Tiranë.
Kodi i etikës për mësuesit e arsimit parauniversitar. Asnjë mësues nuk mundet t’i çojë fëmijët në protesta të paligjshme, duke përdorur autoritetin e tij. Kush e bën do pezullohet apo përjashtohet.
Ndryshimet në kodin penal, ndjekin praktikat më të mira të vendeve të BE-së. Këto dispozita ndëshkojnë dhunën, nxitjen e saj, kanosjen dhe përndjekjen. Ato e përjashtojnë shprehimisht protestën paqësore, kritikën politike, satirën dhe gazetarinë. Kush kapet me armë apo sende të tjera të paligjshme dënohet deri në 2 vite burg. Shkatërrimi i pronës gjatë tubimeve dënohet më rëndë sesa aktualisht. Dënimi më i rëndë shkon kur thirrja u drejtohet fëmijëve.
Fshehja e fytyrës, gjobë deri 6 muaj burg (kur në protest ka dhunë). Nuk ndëshkohet kush e zbulon fytyrën sapo dëgjon urdhrin e policisë. Shkatërrimi i pronës (dënim dyfish kur prek shkolla, etj). Goditje polic apo qytetar, rritje me 1/3 kur është i maskuar. Nxitja për dhunë në rrjetet sociale, plackitje, etj. Dënimi më i rëndë kur thirrja u drejtohet fëmijëve, ose kur pas saj ndodh dhuna. Kanosja online, dënim më i gjerë.
Kush publikon të dhëna që ekspozojnë persona ndaj sulmeve, bëhet objekt i kodit penal. Përdorimi i AI kur i shkaktojnë dëm personit bëhet vepër penale (jo satira etj). Kanosja ndaj funksionarëve dhe familjeve të tye, personave publikë dhe familjeve të tyre, janë vepra penale. Mbrohen edhe nga kanosja online por me dënim më të ashpër”, tha mes të tjerash Rama.



