BallinaAktualitetNdryshime në ligjin për tubimet/ Gjobë deri në 500 mijë lekë për...

Ndryshime në ligjin për tubimet/ Gjobë deri në 500 mijë lekë për pjesëmarrësit që nuk largohen pas paralajmërimit të policisë

Kryeministri Edi Rama ka bërë publike paketën e re ligjore kundër dhunës dhe akteve të anarkisë urbane, e cila parashikon gjoba deri në 500 mijë lekë të reja për pjesëmarrësit në tubime të dhunshme që nuk largohen pas paralajmërimeve të policisë.

Paketa përfshin gjashtë instrumente ligjore, mes tyre ndryshime në ligjin për tubimet dhe mekanizma të rinj për dëmshpërblimin e dëmeve ndaj pronës publike dhe private.

Rama theksoi se përgjegjësia do të jetë individuale, ndërsa gazetarët, mjekët, vëzhguesit dhe kalimtarët e rastësishëm do të përjashtohen nga ky rregull.

“Pas një pune intensive me ekspertë europianë dhe koordinim me partnerët francezë dhe italianë, dhe duke u mbështetur në modelin e adaptuar prej tyre ndaj të njëjtës flamë antidemokratike, kemi gati paketën ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane.

Protesta paqësore mbrohet, dhuna ndëshkohet dhe dëmi paguhet nga shkaktari. Çdo masë përputhet me nenin 47 të Kushtetutës, nenin 11 të GJEDNJ-së, udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it. Përgjegjësia është gjithnjë vetjake.

Paketa ka gjashtë instrumente që plotësojnë njëri-tjetrin. Një akt normativ për dëmshpërblimin e biznesit të vogël, një ligj për riparimin e dëmeve, disa ndryshime në ligjin për tubimet, një regjistër elektronik për dhunuesit urbanë, një ndryshim në Kodin e Etikës së Mësuesve dhe disa propozime për ndryshime në Kodin e Procedurës.

Instrumenti i dytë është ligji i ri sipas modelit francez. Kush thyen, paguan. Ligji i ri që kemi hartuar për riparimin e dëmeve krijon themelin për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë: kush shkakton dëm, e paguan.

Barra nuk bie mbi taksapaguesit, siç ishte deri sot. Ligji zbatohet për çdo tubim publik, përfshirë grumbullimet sportive, festive etj., ku shkaktohen dëme materiale mbi pronën publike apo private.

Askush nuk paguan dëm se ka protestuar apo ka qenë i pranishëm. Kjo përgjegjësi lind nga sjellja vetjake e secilit person. Nuk e kufizon lirinë e shprehjes.

Por secili që merr pjesë në tubime të dhunshme dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, kush zgjedh të rrijë në një turmë apo grup, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që kryejnë veprimet e dhunshme, dhe gjoba do të shkojë deri në 500 mijë lekë të reja.

Përjashtohen nga ky rregull gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë apo kalimtarët e rastësishëm. Për të miturit, gjobën do ta paguajnë prindërit apo kujdestari.

Ligji për tubimet nuk është përditësuar. Do t’i japë policisë më shumë mjete dhe mundësi sanksionesh, që janë krejt simbolike në krahasim me masat që vendet e tjera të BE-së kanë marrë.

Policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë rreth objekteve të caktuara.

Pjesëmarrja në tubim pa leje dhe mosbindja do të gjobiten nga 10 mijë deri në 100 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Mosbindja ndaj urdhrit për shpërndarje do të gjobitet deri në 500 mijë lekë të reja. Bllokimi i qarkullimit, 5 mijë lekë të reja për çdo pjesëmarrës.”

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular