Deçan, 23 tetor 2026 – Tre persona janë arrestuar në Deçan të Kosovës, nën dyshimin për përfshirje në një rast të tentativës për vrasje, pasi njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të një qytetari.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 22 tetorit, rreth orës 05:15. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të dyshuarit kanë tentuar të ndalonin automjetin që drejtohej nga qytetari, ndërsa njëri prej tyre dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të tij.
Pas marrjes së njoftimit, policia ka nisur veprimet hetimore dhe ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e tre personave të dyshuar.
Gjatë operacionit, uniformat blu kanë sekuestruar edhe pistoletën që dyshohet se është përdorur gjatë incidentit.
Me urdhër të prokurorit, dy nga të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa personi i tretë është liruar dhe do të hetohet në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës e ka regjistruar rastin si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motivit të ngjarjes.
