BallinaAktualitetProtesta studentore zgjerohet/ Sot në orën 10:00 pedagogët protestojnë sërish në mbështetje...

Protesta studentore zgjerohet/ Sot në orën 10:00 pedagogët protestojnë sërish në mbështetje të të rinjve

TIRANA- Protesta kundër qeverisë po merr një dimension më të gjerë, pasi studentëve u janë bashkuar edhe pedagogë nga universitetet, në mbështetje të kërkesave të të rinjve dhe kundër mënyrës se si qeveria po menaxhon situatën.

Pedagogët kanë paralajmëruar se do të vijojnë protestat çdo ditë, duke nisur nga ora 10:00, deri në dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ky qëndrim shënon një zgjerim të lëvizjes, e cila tashmë përfshin edhe përfaqësues të botës akademike.

Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi, i ka bërë thirrje kryeministrit të marrë përgjegjësi politike dhe të largohet nga detyra, duke argumentuar se kërkesat e studentëve nuk kanë marrë përgjigjen e duhur nga qeveria.

Sipas Kovaçit, mungesa e dialogut me protestuesit paqësorë ka shtuar tensionet, ndërsa ai ka shprehur shqetësimin për përdorimin e dhunës ndaj të rinjve. Ai ka dënuar gjithashtu veprimet e personave civilë që, sipas tij, kanë rrezikuar sigurinë e qytetarëve.

“Kjo është një qeveri që nuk dëgjon. Meqë nuk dëgjoi studentët, është logjike që do eskalonte kjo lëvizje. Kur nuk u përgjigjesh protestave paqësore, do presësh protestues të revoltuar. Fatkeqësisht qeveria dhe kryeministri në vend që t’u përgjigjej protestuesve paqësorë, sot ajo iu përgjigj me dhunë. Ajo që është më e keqja është se në kemi parë edhe persona civilë që rrezikojnë jetën e qytetarëve, ne si profesorat jemi të shqetësuar. Brutaliteti ndaj rinisë shqiptare është i papranueshëm. U bëjmë thirrje përfaqësive ndërkombëtare, ambasadave që të hedhin sytë nga Shqipëria dhe nga ky brutalitet”, tha Kovaçi.

Përfaqësuesi i pedagogëve u ka bërë thirrje edhe institucioneve ndërkombëtare dhe ambasadave në Shqipëri që të ndjekin nga afër zhvillimet dhe trajtimin e protestuesve. Ndërkohë, oferta e kryeministrit Edi Rama për dialog është refuzuar një ditë më parë nga studentët dhe të rinjtë protestues, duke lënë të hapur përplasjen mes tyre dhe qeverisë

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular