Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u është drejtuar shqiptarëve me një videomesazh, duke bërë thirrje për mbështetjen e studentëve dhe të rinjve që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë.
Berisha akuzoi kryeministrin Rama për përdorim të dhunës policore ndaj protestuesve, duke theksuar se mbi 2 mijë të rinj, gjimnazistë, studentë dhe të mitur janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar gjatë protestave.
“Prej një jave, mbi 2 mijë vajza, djem, gjimnazistë, të mitur, studentë, janë dhunuar egërsisht, ndaluar apo arrestuar dhe kanë mbushur paraburgimet e vendit nga burgu famëzi i Burrelit gjer në burgun e Beratit.
Prej një jave, kemi parë disproporcion të madh ndaj reagimeve në vetëmbrojtje të studentëve kundër shkopinjve të gomës që thyejnë kockat e tyre të njoma, gazit helmues që është ngritur si një re e zezë mbi qiellin e Tiranës dhe çdo ditë po mbyt jo vetëm studentët dhe gjimnazistët, por dhe shtëpitë dhe banorët e tyre në Tiranë. Plumbave të gomës që lëshohen në breshëri, me pamëshirë, në shkelje të plotë të ligjit, ndaj studentëve, gazetarëve, por edhe qytetarëve, dhe që në fakt kanë çarë kafkat e tyre”, tha Berisha.
Berisha e cilësoi situatën si një “rikthim të terrorit të kuq” dhe tha se protesta e pedagogëve dhe profesorëve në mbështetje të studentëve ka rrëzuar strategjinë e qeverisë për t’i frikësuar protestuesit.
Në mesazhin e tij, Berisha u bëri thirrje qytetarëve të të gjitha bindjeve politike që të kapërcejnë frikën dhe t’u bashkohen të rinjve në protestë. Sipas tij, studentët po luftojnë jo vetëm për të ardhmen e tyre, por edhe për të ardhmen e Shqipërisë.
“Edi Rama, për të shpëtuar lëkurën e tij, shpalosi dje platformën kriminale të terrorit të kuq. Bazuar në mercenarë, vrasës serialë të paguar 2500 euro, bazuar në mercenarë dhe vrasës serialë të importuar nga jashtë dhe në mjete të teknologjisë së terrorit. Por, protesta e sotme e mijëra e mijëra asistentëve, pedagogëve dhe profesorëve të universiteteve në mbështetje të studentëve të tyre, përmbysi platformën e terrorit të kuq të Edi Ramës. Kjo që po shohim është fundi i merituar i Edvin Kristaq Xhelatit.
Qytetarët shqiptarë të të gjitha bindjeve politike, por dhe ata të paparti, nuk duhet të harrojnë se prej 13 vitesh keni ngritur zërin, keni kërkuar që të rinjtë të ngrihen kundër të keqes që ka kapluar vendin. Keni kërkuar prej tyre të marrin fatin e tyre në dorë. Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri”, tha Berisha.
Në përfundim të videomesazhit, Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen me studentët nesër, në orën 10:00, përpara universitetit.
“Çdo ditë që Edi Rama nuk jep dorëheqjen, Shqipëria ka një kosto më të lartë, por çdo ditë që ti nuk bashkohesh me studentët, Edi Rama zgjat fundin e tij të pashmangshëm.
Ndaj dhe dil sot, në mbështetje të atyre të rinjve, që Edi Rama u ka vjedhur gjithçka, por ende nuk e kanë braktisur dhe duan të bëjnë Shqipërinë sipas projektit të ëndrrave të tyre rinore. Ende kanë shpresë të bëjnë Shqipërinë. Ata po luftojnë për të ardhmen e tyre, ata po luftojnë për ty. Mos t’i lëmë ata vetëm që të bëjnë betejën e të gjithë shqiptarëve. Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në ora 10:00 para universitetit, gjer në fitore”, tha Berisha.




