Policia e Tiranës ka reaguar pas videove dhe pretendimeve të publikuara në rrjetet sociale lidhur me protestën e sotme, duke sqaruar rrethanat e shoqërimit të disa personave, përdorimin e mjeteve metalike dhe pretendimet për praninë e policëve serbë në Shqipëri.
Në reagimin zyrtar, Policia sqaron se personat e shfaqur në njërën prej videove nuk ndodheshin në dhomat e shoqërimit të komisariateve apo në bllokun e sigurisë, por ishin filmuar në momentin e neutralizimit nga efektivët, në një institucion shtetëror ku ishin futur. Më pas, ata janë shoqëruar në komisariat.
Sa i përket videos tjetër, ku pretendohet se disa civilë kanë shoqëruar me forcë një shtetase, Policia thotë se personi i shoqëruar është mashkull dhe se bëhet fjalë për punonjës të Policisë Kriminale. Sipas Policisë, ai dyshohet se drejtonte tubuesit dhe godiste me zare metalikë punonjësit e Policisë dhe institucionet.
Ad
Policia ka sqaruar edhe pretendimet për përdorimin e kavove metalike nga efektivët. Sipas saj, mjetet e shfaqura në media u janë sekuestruar paraditen e sotme katër të rinjve të maskuar, të cilët dyshohet se po shkonin në protestë për të goditur protestuesit.
Një tjetër pretendim i kundërshtuar nga Policia e Tiranës është ai për praninë e efektivëve serbë gjatë protestës. Në reagim thuhet se në radhët e Policisë së Shtetit nuk ka punonjës të huaj dhe se në tubimin e sotëm, si dhe në marshimin pas tij, janë angazhuar vetëm efektivë shqiptarë, të organizuar, siç thotë njoftimi, sipas planit të masave.
