ELBASAN — Vala e revoltës rinore është përshkallëzuar në qytetin e Elbasanit, ku dhjetëra nxënës, studentë dhe të rinj – mes të cilëve edhe të mitur – janë grumbulluar fillimisht në sheshin “Gensher”.
Me thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg” dhe “Rama jepe dorëheqjen!”, protestuesit kanë nisur tubimin duke drejtuar akuza ndaj të dyja krahëve të politikës. Më pas, turma është drejtuar drejt bulevardit kryesor të qytetit, ku u regjistruan akte dhune dhe vandalizmi, përfshirë shkatërrimin e ndriçimit publik dhe thyerjen e reklamave.
Protestuesit kanë lëvizur nëpër pika të ndryshme të qytetit, duke u ndalur para godinës së Bashkisë, para gjimnazeve vendase dhe duke bllokuar rrugët e sheshet kryesore.
Përballë kësaj situate, uniformat blu kanë ndërhyrë duke monitoruar nga afër lëvizjet e turmës dhe duke bërë thirrje të vazhdueshme për shmangien e akteve të dhunës. Deri më tani, policia ka proceduar me shoqërimin e disa prej të rinjve pjesëmarrës, ndërsa lëvizja protestuese vijon të mbetet aktive në disa zona të qytetit.
