TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha, ka deklaruar se PD-ja do të vijojë të mbështesë studentët në protestat kundër qeverisë, duke vlerësuar angazhimin e deputetëve dhe të Forumit Rinor të Universiteteve në përkrahje të tyre. Ai theksoi se studentët nuk do të lihen vetëm dhe se opozita do t’i mbështesë me të gjitha format dhe mundësitë, duke paralajmëruar se përballë kryeministrit Edi Rama nuk do të jenë vetëm të rinjtë, por edhe opozita bashkë me ta.
Gjatë një takimi me drejtuesit e PD-së së Tiranës, ai i kërkoi kryeministrit Edi Rama dorëheqjen e menjëhershme dhe u bëri thirrje shqiptarëve t’i bashkohen protestës për largimin e tij. Ai e cilësoi revoltën studentore si një pikë kthese dhe një moment vendimtar për vendin, duke kërkuar angazhim maksimal të opozitës në mbështetje të studentëve.
Berisha: Ne studentët nuk i lëshojmë, do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë! Rama të japë dorëheqje të menjëhershme Unë duhet të përgëzoj të gjithë drejtuesit, anëtarët, mbështetësit e PD, të cilët kanë qenë dje dhe sot kanë mbështetur studentët.
Një rol të veçantë, siç e keni parë edhe vetë, dhe i përgëzoj, në mbrojtje të studentëve kanë luajtur deputetët e PD.
Edhe në sheshbetejë, edhe në komisariate. Mendoj se ka qenë një qëndrim i duhur, pasi ne këtë protestë, ne këta studentë do i mbështesim me të gjithë potencialin tonë. Edi Rama nuk do ndeshet vetëm me studentët, do të ndeshet me të gjithë opozitën, me të gjithë qytetarët.
Ne studentët nuk i lëshojmë, ne do i mbështesim ata me të gjitha format dhe mundësitë. Duhet të përgëzoj forumin rinor të universiteteve, të cilët kanë qenë shumë efiçent dhe me angazhimin e tyre kanë dhënë një kontribut vërtet të çmuar. Këto janë dy ditët e para. Sot Edi Rama, që më në fund doli nga vrima e miut ku ishte futur, filloi dhe po akuzon armiq që kanë penetruar te studentët e të tjerë me radhë. Unë në mënyrë më të prerë i kërkoj atij dorëheqjen e menjëhershme.
Dhe i bëj thirrje shqiptarëve të angazhohen me gjithë mundësinë e tyre në mbështetje të studentëve për largimin e Edi Ramës dhe qeverisë së tij. Ai mendon se kjo protestë nuk dallon nga protestat e tjera. Gabon shumë rëndë. Kjo është protesta kur është mbushur kupa. Shqiptarët kanë katër muaj që protestojnë. Por protesta studentore është protesta e kupës së mbushur. Nuk ka ku të shkojë.
Studentët, siç e shihni, janë shumë të kthjellët, shumë të guximshëm. Por studentët, Tirana dhe Shqipëria kanë nevojë që PD të bëjë çdo për mbrojtjen e tyre. Të bëjë çdo gjë për mbështetjen e tyre. Kjo është një orë shumë e rëndësishme e historisë. Kjo është një orë vendimtare.
