Kompania kineze zhvillon PCC1, por shkenca kërkon shumë më tepër se një premtim për të arritur 150 vjet.
Ideja se njeriu mund të zgjasë jetën duke goditur vetë mekanizmat biologjikë të plakjes nuk është më vetëm pjesë e fantashkencës. Laboratorët e geroshkencës po studiojnë prej vitesh qelizat e plakura, mekanizmat e inflamacionit kronik, dëmtimin qelizor dhe mënyrat për ta shtyrë përpara atë që quhet healthspan, vitet e jetës së shëndetshme, dhe jo thjesht numrin e viteve të jetuara.
Në këtë garë të re kundër plakjes është shfaqur edhe një emër nga Kina, Lonvi Biosciences, kompani bioteknologjike me bazë në Shenzhen, e cila po zhvillon një preparat të bazuar në procyanidin C1 (PCC1), një polifenol që gjendet në ekstraktin e farave të rrushit.
Kompania ka bërë një pretendim që ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare, sipas drejtorit të saj teknik, Lyu Qinghua, jetëgjatësia njerëzore deri në 150 vjet mund të bëhet realiste.
Por midis një kapsule që synon mekanizmat e plakjes dhe një njeriu që jeton 150 vjet shtrihet një humnerë shkencore. Dhe pikërisht kjo humnerë duhet të mbahet parasysh.
PCC1 është një përbërës i familjes së procyanidinave, polifenole që gjenden veçanërisht në farat e rrushit, por edhe në disa burime të tjera bimore. Në kërkimin mbi plakjen, rëndësia e tij lidhet me një mekanizëm të quajtur senolizë, synimi dhe eliminimi i qelizave seneshente.
Qelizat seneshente janë qeliza që kanë hyrë në një gjendje ndalimi të qëndrueshëm të ndarjes, por nuk janë domosdoshmërisht të vdekura. Me kalimin e moshës, një pjesë e tyre grumbullohet në inde dhe mund të prodhojë molekula sinjalizuese që lidhen me inflamacionin kronik dhe ndryshimet e mjedisit indor. Ky grup sinjalesh njihet si SASP, senescence-associated secretory phenotype.
Nëse këto qeliza mund të eliminohen në mënyrë selektive, pyetja është nëse kjo mund të ngadalësojë disa procese të plakjes.
Studimi i botuar në “Nature Metabolism” në dhjetor 2021 pikërisht këtë hipotezë e testoi. Studiuesit raportuan se PCC1, në modele qelizore dhe shtazore, mund të vepronte si agjent senolitik dhe se trajtimi periodik i minjve të moshuar përmirësonte disa tregues të funksionit fizik dhe zgjaste mbijetesën.
Rezultati më i cituar ishte veçanërisht spektakolar.
Minjtë që morën PCC1 duke filluar në moshë shumë të avancuar patën një 64,2% rritje të jetëgjatësisë mediane pas fillimit të trajtimit, ndërsa jetëgjatësia e tyre e përgjithshme u rrit me rreth 9,4%. Në studim, trajtimi filloi kur minjtë ishin rreth 24–27 muajsh, moshë që autorët e krahasuan përafërsisht me 75–90 vjet te njeriu.
Këtu qëndron edhe një nga keqkuptimet më të zakonshme.
64,2% nuk do të thotë se minjtë jetuan 64,2% më gjatë se jetëgjatësia e tyre normale. Bëhet fjalë për zgjatjen e jetëgjatësisë së mbetur pas fillimit të trajtimit. Ndërsa efekti mbi gjithë jetëgjatësinë ishte 9,4%.
Ky dallim është thelbësor.
Një eksperiment te minjtë mund të na tregojë se një mekanizëm biologjik është interesant. Por ai nuk na jep automatikisht një formulë matematikore për të kaluar nga 9,4% te minjtë në 150 vjet te njerëzit.
Këtu historia bëhet shumë më interesante, dhe shumë më e ndërlikuar.
Në shtator 2025, “Nature Metabolism” njoftoi se autorët kishin identifikuar gabime në të dhënat e artikullit dhe se redaksia do të ndërmerrte veprime të mëtejshme pasi të verifikoheshin të dhënat origjinale. Më 23 shkurt 2026, revista publikoi një Editorial Expression of Concern.
Shkaku i shqetësimit lidhet konkretisht me një imazh në figurën 6b. një mi kontrolli i trajtuar me vehicle duket shumë i ngjashëm me një mi tjetër të paraqitur në një figurë tjetër të studimit. Sipas redaksisë, autorët kërkuan një korrigjim, por nuk kanë mundur të sigurojnë të dhënat bruto që do të nevojiteshin për ta zgjidhur çështjen.
Kjo na shtyn të jemi skeptik. Edhe pse provat e rezultatit të studimit pretendohen të pavlefshme, artikulli nuk është tërhequr. Që do të thotë se forca e argumenteve duhet të vlerësohet me një rezervë shumë më të madhe sesa do të ishte e arsyeshme për një studim pa këtë paralajmërim editorial.
Ky është një dallim themelor në shkencë: “Nuk është provuar të jetë i gabuar” nuk është e njëjta gjë me “është provuar të jetë i saktë”.
Lonvi e ndërtoi kërkimin e vet mbi këtë ide, por nuk është e njëjta skuadër që kreu studimin origjinal në Shangai. Kompania hapi laboratorin e saj në vitin 2022 dhe u përqendrua në zhvillimin e një forme të PCC1 për përdorim komercial. Raportimet mbi kompaninë theksojnë pikërisht këtë ndarje mes zbulimit akademik fillestar dhe zhvillimit të produktit nga Lonvi.
Vetë Lonvi e përshkruan PCC1 si një senolitik të fuqishëm dhe thotë se ka zhvilluar një mënyrë për ta përqendruar përbërësin aktiv në nivele shumë më të larta se ekstraktet e zakonshme të farave të rrushit.
Sipas informacionit të bërë publik nga kompania, skema e propozuar është një trajtim periodik, jo një kapsulë që merret çdo ditë për vite me radhë. Raportimet mbi produktin flasin për tre ditë trajtim në muaj.
Por edhe kjo duhet lexuar me kujdes, një regjim i zhvilluar nga një kompani nuk është i barabartë me një protokoll terapeutik të miratuar dhe të vërtetuar për popullatën e përgjithshme.
Këtu duhet bërë ndarja më e prerë.
Të dhënat kryesore të botuara në Nature Metabolism janë të dhëna preklinike, kryesisht te minjtë. Ato nuk demonstrojnë se PCC1 zgjat jetëgjatësinë e njerëzve, aq më pak se njerëzit mund të arrijnë 150 vjet.
Vetë Joe Schwarcz, drejtor i Office for Science and Society në McGill University, e ka kritikuar këtë kapërcim nga rezultatet te minjtë te pretendimet për jetëgjatësinë njerëzore. Ai e konsideron kalimin nga një efekt te kafshët në një premtim për njerëzit një ekstrapolim shumë të nxituar.
Dhe këtu qëndron një nga parimet themelore të mjekësisë eksperimentale,
një mekanizëm biologjik interesant nuk është ende një terapi, një terapi eksperimentale nuk është ende një trajtim i provuar; dhe një trajtim i provuar për një sëmundje nuk është automatikisht një zgjatës i jetëgjatësisë.
Përpara se PCC1 të mund të konsiderohet një ndërhyrje e mirëpërcaktuar për plakjen njerëzore, nevojiten studime të kontrolluara te njerëzit, të përsëritshme dhe të pavarura, që të përcaktojnë dozën, biodisponueshmërinë, sigurinë, ndërveprimet me barna, efektet afatgjata dhe, mbi të gjitha, nëse ekziston realisht ndonjë përfitim klinik.
Një tjetër vështirësi është se plakja nuk është një sëmundje me një shkak të vetëm. Ajo përfshin ndryshime në ADN, epigjenom, metabolizëm, sistemin imunitar, mitokondri, inde, enë gjaku, tru dhe shumë mekanizma të tjerë. Heqja e një pjese të qelizave seneshente mund të ndikojë në disa prej tyre, por kjo nuk do të thotë se është zgjidhur problemi i plakjes në tërësi.
Një zhvillim interesant i vitit 2026 është se kërkimi mbi PCC1 nuk është ndalur. Në gusht 2026 u publikua një preprint që analizon efektet e PCC1 mbi programet gjenetike të qelizave stromale njerëzore seneshente. Autorët raportojnë ndryshime në mijëra gjene dhe efekte mbi programe qelizore të lidhura me membranat, lizozomet dhe disa komponentë të fenotipit seneshent. Por ky është preprint, jo provë klinike që tregon zgjatje të jetëgjatësisë te njerëzit.
Pra, edhe zhvillimet më të fundit tregojnë se fusha është në eksplorim, jo në pikën ku mund të shpallet një “pilulë e jetëgjatësisë”.
Mijëra vjet përpara laboratorëve të bioteknologjisë, njerëzimi kishte nisur tashmë kërkimin për të mashtruar vdekjen. Në Kinën e lashtë, perandori Qin Shi Huang, i njohur edhe për ushtrinë e famshme prej terrakote, kërkoi eliksirin e pavdekësisë.
Në fund, kërkimi për jetën e pafund nuk i zgjati jetën.
Historianët e lidhin vdekjen e tij në moshën 49-vjeçare me përdorimin e preparateve që përmbanin merkur, të cilat në atë kohë besohej se mund të ndihmonin në zgjatjen e jetës.
Nga alkimia e lashtë te bioteknologjia moderne, pyetja ka mbetur pothuajse e njëjtë: A mund ta shtyjë shkenca kufirin e vdekjes?
Ndryshimi është se sot kemi mjete që perandorët e lashtë nuk i imagjinonin dot, biologji molekulare, sekuencim gjenetik, proteomikë, inteligjencë artificiale, modele shtazore, terapi qelizore dhe prova klinike të kontrolluara.
Por pikërisht për këtë arsye standardi i provës duhet të jetë më i lartë.
Ndoshta lajmi më i rëndësishëm nuk është se ekziston një pilulë që do të na çojë në 150 vjeç.
Lajmi më interesant është se shkenca po fillon ta trajtojë plakjen jo thjesht si një rrjedhë të pashmangshme të kohës, por si një proces biologjik me mekanizma që mund të studiohen, manipulohen dhe ndoshta pjesërisht modifikohen.
PCC1 është një pjesë e kësaj historie. Senolitikët janë një drejtim kërkimi. Qelizat seneshente janë një objekt serioz studimi. Por midis një zbulimi laboratorik dhe një revolucioni mjekësor ka një rrugë të gjatë.
Dhe kjo rrugë nuk matet me entuziazmin e një kompanie, as me një titull spektakolar, por me riprodhueshmërinë e rezultateve, cilësinë e të dhënave, provat klinike dhe verifikimin e pavarur.
Në fund të fundit, pyetja më e rëndësishme nuk është nëse një kapsulë do të na çojë në 150 vjeç.
Është nëse do të arrijmë të bëjmë diçka shumë më të vlefshme, të zgjasim vitet në të cilat njeriu jeton me shëndet, dinjitet dhe funksionalitet, pa e kthyer shpresën për jetëgjatësi në një treg të ri iluzionesh.
Sepse shkenca mund të na ndihmojë ta shtyjmë kufirin e jetës.
Por, deri tani, nuk ka dhënë asnjë provë se e ka zhdukur kufirin.
