BallinaQytetiElbasanNderohen pas vdekjes katër figura të shquara të klerit mysliman në Elbasan

Nderohen pas vdekjes katër figura të shquara të klerit mysliman në Elbasan

Këshilli i Qarkut Elbasan u ka akorduar titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” Hafiz Ismail Dervishit, Hoxhë Qazim Hazizit, Hafiz Shuaip Musa Pashos dhe Mustafa Rifat Dautit, për kontributin e tyre në jetën fetare, arsimore dhe shoqërore.

Këshilli i Qarkut Elbasan ka nderuar pas vdekjes katër personalitete të shquara të klerit mysliman, të cilat kanë lënë gjurmë në historinë fetare dhe qytetare të Elbasanit.

Në një ceremoni ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, drejtues të Myftinisë, klerikë, familjarë dhe besimtarë, u dorëzuan certifikatat e titullit “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” për Hafiz Ismail Dervishin, Hoxhë Qazim Hazizin, Hafiz Shuaip Musa Pashon dhe Mustafa Rifat Dautin.

Vlerësimi është dhënë për kontributin e tyre në shërbim të komunitetit, predikimin e fesë dhe forcimin e harmonisë fetare në qarkun e Elbasanit.

Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, vlerësoi trashëgiminë e këtyre figurave, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe përcjelljes te brezat e rinj të vlerave të tolerancës, mirëkuptimit dhe bashkëjetesës.

Sipas saj, nisma e ndërmarrë pas propozimit të Myftinisë së Elbasanit synon të mbajë gjallë kujtesën për personalitetet që kanë kontribuar në historinë dhe identitetin e qytetit.

Katër figurat e nderuara përfaqësojnë periudha të ndryshme të jetës fetare në Elbasan.

Hafiz Ismail Dervishi, i cili shërbeu si imam në Xhaminë “Fushë Mbret”, kontribuoi edhe në edukimin fetar dhe përgatitjen e imamëve. Ai dha mësim në Medresenë e Elbasanit dhe u angazhua në përkthimin në shqip të veprës “Texhvidi”, që lidhet me rregullat e leximit të Kuranit.

Hoxhë Qazim Hazizi shërbeu për rreth tri dekada si hatib në Xhaminë Mbret, duke u dalluar për oratorinë dhe komunikimin me besimtarët.

Ndërsa Hafiz Shuaip Musa Pasho mbetet i kujtuar për përkushtimin e tij në ruajtjen e traditës fetare, edhe gjatë periudhës së ndalimit të fesë në Shqipëri. Sipas dëshmive të përcjella nga Myftinia dhe familjarët, ai vijoi të mbante lidhje me besimtarët dhe të përcillte traditat fetare në kushte të vështira.

Një tjetër personalitet i nderuar ishte Mustafa Rifat Dauti, i cili shërbeu si kryemyfti i Elbasanit deri në vitin 1967. Veprimtaria e tij lidhet me historinë e Myftinisë dhe me kontributin në jetën shoqërore e kombëtare.

Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, e cilësoi ceremoninë si një moment të rëndësishëm për komunitetin mysliman dhe për kujtesën historike të qytetit.

Ai falënderoi Këshillin e Qarkut dhe kryetaren Ermira Urupi për vlerësimin, duke theksuar se nderimi nuk u kushtohet vetëm katër individëve, por edhe trashëgimisë që ata kanë lënë pas.

Sipas Myftiut, këto figura kanë qenë pranë njerëzve në periudha të vështira dhe kanë kontribuar në përcjelljen e vlerave të besimit, moralit, familjes, arsimit dhe solidaritetit.

Në fund të ceremonisë, certifikatat iu dorëzuan familjarëve të katër personaliteteve, të cilët shprehën mirënjohjen për vlerësimin institucional të kontributit të të afërmve të tyre.

Nderimi i katër figurave rikthen në vëmendje një pjesë të rëndësishme të historisë së Elbasanit, ku tradita fetare, toleranca dhe bashkëjetesa ndërfetare janë pjesë e identitetit të qytetit.

RELATED ARTICLES

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments