TIRANË — Situata përpara godinës së Kuvendit të Shqipërisë është tensionuar gjatë minutave të fundit, ku janë shënuar përplasje të para mes protestuesve të mbledhur nga opozita e forcave të rendit.
Përplasja ka ndodhur pranë kordonit të policisë të vendosur në zonën afër xhamisë, ku efektivët kishin krijuar një barrierë mbrojtëse për të parandaluar kalimin e turmave drejt hyrjes kryesore të parlamentit. Në përpjekje për të zmbrapsur protestuesit që po tentonin të çanin perimetrin e sigurisë, forcat e policisë kanë përdorur spraj lotsjellës.
Përshkallëzimi i situatës vjen në një kohë kur brenda sallës plenare po zhvillohen diskutimet për reformën e re administrative-territoriale, ndërsa jashtë saj prania e forcave të sigurisë mbetet e lartë për të mbajtur nën kontroll mbarëvajtjen e protestës.

