“Dil jashtë”/ Egla Ceno rrëfen përplasjen me kryeministrin Rama në Berat: Nuk pati provokime nga ana jonë, unë vetëm i kërkova të na dëgjonte

BERAT- Reforma e re territoriale e propozuar nga PS-ja e cila synon shkrirjen e disa bashkive dhe bashkimin e tyre me disa të tjera vijon të sjell debate. Takimi i kryeministrit Edi Rama në Berat, u kthye në një arenë përplasjesh dhe debatesh me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj, si dhe aktoren Egla Ceno.

Pas kësaj ngjarje, aktorja Egla Ceno ka rrëfyer edhe versionin e saj. Gjatë një prononcimi per mediat, Ceno u shpreh se në sallë ishte një grup përfaqësuesish nga Poliçani për të bërë një dëgjesë për Territorialen. Ajo theksoi se Poliçani është një qytet që e ka shprehur shumë herë mendimin e tij.

Aktorja u shpreh se Ministri Demo u dha fjalën qytetarëve, ku folën vetëm 2 prej tyre, por pastaj ndërhyri kryeministri duke iu thënë se kjo nuk është një mbledhje për të dëgjuar sa mirë jetohet në Poliçan.

Më tej ajo shtoi se kishte edhe djem nga salla që ngrinin dorën për të replikuar, po asnjë nuk u lejua të flasë. Ceno tha se i ka drejtuar kryeministrit Rama një pyetje ku i kërkonte të dëgjonte qytetarët, por pas kësaj ai e ka nxjerrë jashtë. Kjo duke thënë se mbledhja do të ndërpritet derisa Ceno të dalë nga salla ku po mbahej mbledhja.

Egla Ceno: Ishim një grup përfaqësuesish nga Poliçani për të bërë një dëgjesë për Territorialen. Poliçani është një qytet që e ka shprehur shumë herë mendimin e tij. Ministri Demo u dha fjalën qytetarëve, folën vetëm 2 prej tyre. Pastaj ndërhyri kryeministri dhe tha: “Ok, ok, se nuk jemi në një mbledhje për të dëgjuar sa mirë jetohet në Poliçan”, dhe fillon një fjalim që kishte pyetje, kishte përgjigje vetë, kishte djem nga salla që ngrinin dorën për të replikuar, po asnjë nuk u lejua të flasë.

Kur ishte drejt funditi thashë: “A mund të flasim, a do na dëgjoni?”. Më tha: “Dil jashtë”. “Po mo”, i thashë, “dal edhe jashtë”, por më thanë që kemi ardhur sepse kryeministri do na dëgjojë zërin. “Dil jashtë”, të lutem, i thashë. “Jo, mos m’u drejto kështu.”

U çua shumë i irrituar dhe tha: “Ndërpritet mbledhja derisa të dali zonja jashtë.” Në ato momente, i gjithë komuniteti u bë bashkë me mua dhe dolëm të gjithë jashtë. Nuk pati as provokime nga ana jonë. Unë vetëm i kërkova të na dëgjonte dhe të flisnim